Ndërlidhjet

Shkup: Përgjimet e paligjshme nxisin reagime


Shkup
Shkup

Përgjimi i mijëra qytetarëve, liderëve të opozitës, mediave, përfaqësuesve të sektorit civil, afaristëve, madje edhe vet njerëzve të pushtetit, ka nxitur reagime të shumta me vlerësimin se bëhet fjalë për akt të paligjshëm, shkelje të privatësisë si e drejtë e garantuar me kushtetutë, ndërsa lidhur me zhvillimet përmes një komunikatë është prononcuar edhe Presidenti Gjorgje Ivanov.

“Shprehi mbështjen time të plotë për të gjitha institucionet dhe organet e shtetit që të veprojnë shpejtë, në mënyrë efikase dhe transparente në përcaktimin e aktiviteteve që janë në kundërshtim me rendin kushtetues dhe sanksionimin e autorëve të veprave penale".

"I ftoj të gjitha subjektet politike që të sillen me përgjegjësi dhe në përputhje me interesat e të gjithë qytetarëve. Si shtet demokratik duhet të tregojmë pjekuri para sfidave që paraqiten në shoqëri dhe zgjidhjen e tyre në rrugë institucionale“, thuhet në komunikatën e presidencës pa theksuar nëse reagimi ka të bëjë me përgjimet apo aferën “Puç“.

Mirjana Maleska, ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se përgjimi i mijëra qytetarëve në mënyrë të paligjshme, është dëshmi e qartë se në Maqedoni nuk vepron shteti juridik, por ai partiak, që është i gatshëm të përballet me të gjithë ata që i dalin përpara.

“Ne nuk jetojmë në shtet juridik, por jetojmë në një shtet ku gjithçka mund të prisni, e madje nuk ndjeheni as të sigurtë. Sikur të jetonim në një shtet jurdik dhe normal, unë të paktën do të prisja përgjegjësi politike dhe ligjore".

"Institucionet duhet të tregojnë përgjegjësi dhe kapacitet për përballje me këto zhvillime të tmerrshme, por mbetet të shihet nëse kjo do të ndodhë. Janë përgjuar edhe njerëz të pushtetit. Pres që kjo të shkaktojë përplasje mes vet pushtetit, duke parë reagimet e partive më të vogla të koalicionit qeveritar, që ta detyrojnë të jap dorëheqje atë dhe ministrat e tij“, thotë Maleska.

Duke komentuar lajmin se në mesin e të përgjuarve të pushtetit ishte edhe zyra e Radios Evropa e Lirë në Shkup, Maleska theksoi se "pushteti ka kontrollin e shtetit".

“Si t'ju them, nuk kam fjalë, thjesht nuk mund të gjej fjalë adekuate për këtë. Kjo tregon se ky pushtet kontrollon gjithçka në këtë shtet. Kjo nuk është e rastësishme apo naive. Kjo bëhet thjesht që nesër të gjithë ata që janë përgjuar të jenë objekt i shantazheve të ndryshme. Kjo është e tmerrshme. Përgjime mund të bëhen, por vetem me leje të posaçme të organeve gjyqësore për raste të caktuara kriminale, për të cilat janë ngritur hetime, e kështu me radhë“, thotë Maleska.

Edhe Xhelal Neziri, aktivist dhe njohës i çështjeve politike, thotë se njoftimet për përgjimin e mediave, përfshirë edhe ato të jashtme, siç është rasti me Radion Evropa e Lirë, tregon se pushteti edhe ato i llogaritë si armiq.

“Fakti që u përgjua apo se u publikua një bisedë e gazetares së Radios Evropa e Lirë me liderin e opozitës, tregon edhe për faktin se qeveria çdo gazetar e cilëson si armik dhe në këtë rast edhe mediat e huaja, mediat globale, si Radio Evropa e Lirë, trajtohen si armike të jashtme“, thotë Neziri duke shtuar se ky fakt vetëm sa vërteton pohimet e shumë organizatave ndërkombetare se në Maqedoni nuk ekziston liria e shprehjes dhe se medait janë në presion të vazhdushëm të pushtetit.

Sa i përket përgjigjimit të njerëve të pushtetit, e në veçanti të partive politike që janë pjesë e qeverisë, analisti Xhelal Neziri thotë se me këtë, kryeministri Gruevski ka dëshmuar se përveç familjes së tij, nuk i beson askujt tjetër.

“Me këtë pres që të vetëdijësohen edhe vet bashkëpunëtorët e tij, të cilët e panë se edhe ata kanë qenë objekt i përgjimit, që është e tmerrshme. Me vet faktin se është cënuar çdo lloj privatësie në çdo lloj bisede, edhe private, edhe mes vet anëtarëve të familjes, është një fakt që nuk të bën që të ndjehesh i sigurtë në këtë shtet“, thotë Neziri duke shtuar se vetëm ndërhyrja e shpejtë dhe efikase e institucioneve mund ta kthej besimin tek qytetarët se ky shtet është funksional dhe shtet i së drejtës.

XS
SM
MD
LG