Ndërlidhjet

Austria e gatshme për kthimin e azilkërkuesve nga Kosova


Autoritetet austriake e kanë njoftuar Qeverinë e Kosovës, për përgatitjet që po bëhen rreth kthimit të personave që migruan paligjshëm muajt dhe javët e fundit në Austri.

Ministrja Federale e Punëve të Brendshme të Republikës së Austrisë, Johanna Mikl-Leitner, ka qëndruar sot në Prishtinë me ç'rast është pritur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa.

Ajo ka thënë se vetëm javët e fundit kishte 1800 kërkesa për azil. Mirëpo, shteti austriak, ka vijuar ministrja Leitner, konsideron që Kosova është një vend i sigurt, kështu që personave që kanë kërkuar azil nuk do t'u njihet kjo e drejtë dhe ata do të kthehen në Kosovë.

Nga kjo valë migrimesh, sipas saj, përfitues janë vetëm trafikantët të cilët manipulojnë me qytetarët për interesat e tyre.

"Kjo valë e migrimit po i dëmton proceset ekonomike në vendin tuaj. Po ashtu, ajo ka ndikim edhe në proceset në Austri. Mesazhi im për shoqërinë kosovare është se nuk është e vërtetë ajo që u kanë thënë, që sapo të vini në Austri do ta keni të pranimin e azilit dhe do ta gjeni një vend pune. E vërteta është që Kosova është vend i sigurt, këtu nuk keni luftë dhe mund të jetoni edhe nëse kushtet e jetesës nuk janë të mira", ka deklaruar ministrja Federale e Punëve të Brendshme të Republikës së Austrisë.

Në vazhdim, ajo ka thënë po ashtu se po bëhen përgatitje që çdo 14 ditë të organizohen fluturime me aeroplan për kthimin e emigrantëve nga Austria për në Prishtinë. Sipas saj, ka ide që kthimi të bëhet edhe përmes transportit rrugor, por për realizimin e këtij qëllimi do të kërkohet edhe miratimi i Serbisë si vend tranzit.

"Jemi duke diskutuar edhe mënyrën e kthimit dhe riatdhesimit përmes rrugëve tokësore. Por, këtu na duhet diskutim edhe me Serbinë pasi që na nevojitet miratimi i tyre", ka deklaruar ministrja austriake.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se i përkrahë plotësisht politikat e shtetit të Austrisë karshi këtij problemi. Edhe Mustafa ka deklaruar se Kosova është një vend i sigurt nga i cili nuk ka arsye që të iket në vendet tjera.

"Konsiderojmë që ata e kanë sigurinë e plotë këtu dhe që Kosova është një vend i sigurt. Njerëzit tanë në asnjë rast nuk mund të krahasohen me njerëzit të cilët shpërngulen nga vatrat e luftës si Siria e vendet e tjera. Kërkojmë që qytetarët tanë të kthehen sa më shpejt dhe t'i integrojnë fëmijët e tyre në shkolla, sepse i kanë nxjerrë nga shkollat", ka thënë Mustafa.

Ministrja Leitner ka konfirmuar se në përgjithësi, gjatë muajve të fundit, në Austri janë bërë 30 mijë kërkesa për azil, ndërsa në Hungari rreth 20 mijë kërkesa.

Një ditë më herët, ajo ka qëndruar edhe në Serbi ku më autoritetet serbe, por edhe ato hungareze kanë diskutuar pikërisht për problemin e emigrantëve ilegalë nga Kosova. Mes tjerash, këto tri vende janë marrë vesh për patrullime të përbashkëta në vijat kufitare si dhe për kthimin e emigrantëve nga Kosova përmes rrugëve tokësore.

Një numër edhe më i madh i azilkërkuesve nga Kosova ndodhet në Gjermani, por edhe nga atje, zyrtarë të qeverisë gjermane ditëve të fundit kanë tërhequr vërejtjen se qytetarëve të Kosovës nuk do t'u njihet e drejta e azilit.

XS
SM
MD
LG