Ndërlidhjet

Orav: Integrimi i Maqedonisë në BE, kërkon veprim


Aivo Orav
Aivo Orav

Ambasadori i Bashkimit Evropain, Aivo Orav, ka deklaruar se tani është koha që liderët politik të dëshmojnë se janë ose jo për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Deklaratën e tillë, ambasadori Orav, e dha duke komentuar aferën e përgjimeve ku në një bisedë të publikuar nga opozita maqedonase, ai është fyer rëndë nga ministrja të Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe Ministri i Financave, Zoran Stavreski.

“Viteve të fundit dëgjojmë shumë fjalë të bukura për integrimin në Bashkimin Evropian. Tani është koha, përsëris që të gjithë politikanët në këtë shtet, që këtë ta dëshmojnë me vepra. Këtu jemi që t'i ndihmojmë vendit tuaj në rrugën tuaj drejt BE-së, por duhet të shohim nëse këtë vërtetë e dëshironi“, ka deklaruar ambasadori Orav, pa hyrë në detaje lidhur me përmbatjen e fyrjeve në adresë të tij.

Në fakt, ministrat Jankullovska dhe Stavreski në bisedën e publikuar nga lideri i opozitës, Zoran Zaev, ambasadorin e BE-së e quajnë, “kopil të korruptuar, njeri të frustruar dhe të lajthitur“.

Fyerjet ata i kanë bërë për shkak të interesimit të ambasadorit për mos-shfrytëzimin e Fondeve IPA dhe ndërhyrjen brutale të policisë në një protestë ku shprehej pakënaqësia ndaj pushtetit aktual.

Ka reaguar edhe ambasadorja e Gjermanisë, Kristine Althauser duke thënë se "bëhet fjalë për çështje serioze, që nëse vërtetohen, duhet të kalojnë përmes një hetimi të pavarur dhe transparent".

Përmes komunikatave janë deklaruar ambasada e Britanisë së Madhe dhe ajo e Suedisë, duke theksuar se në rast se vërtetohen përgjimet, ato paraqesin shkelje të rëndë të Konventës së Vjenës. Ngjashëm kishte deklaruar edhe ambasadori i Italisë, Masimo Beleli në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare, thonë se Maqedonia tani ndodhet në konflikt, jo vetëm me opozitën, por edhe me tërë komunitetin ndërkombëtar, pasi nga afera e përgjimeve duket qartë se institucionet e vendit dhe shteti në përgjithësi është devalvuar si asnjëherë më parë.

“Me këtë dëshmohet kultura politike e strukturës që menaxhon me shtetin, e cila nuk ka sens elementar për atë çka do të thotë kod i komunikimit me bashkësinë ndërkombëtare, e njëherësh edhe shkelje e konventave ndërkombëtare".

"Pra, është devalvim i shtetit në tërësi. Vlerësoj se deklarata më e re e ambasadorit Orav, është në drejtim të presionit nga ndërkombëtarët që përfundimisht të gjendet zgjidhje konform standardeve elementare të Bashkimit Evropian“, ka deklaruar Mersel Bilalli, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Fon të Shkupit.

Duke komentuar deklaratën e fundit të liderit të opozitës, Zoran Zaev, se zgjidhja e krizës duhet kërkuar te një qeveri kalimtare, Bilalli thotë se një variant i tillë është më se i domosdoshëm pasi altenrativë tjetër nuk ka për dalje nga kriza e thellë politike, që, sipas tij, mund të përshkallëzohet edhe në shprehje të revoltës në rrrugë.

“Qeveria kalimtare objektivisht imponohet nga gjendja në të cilën ndodhet Maqedonia dhe ajo mund të jetë edhe qeveri e ekspertëve, apo qeveri teknokrate, zgjidhje tjetër nuk ka. Një qeveri e tillë do të udhëhiqte vendin për një periudhë të caktuar deri në sanimin e institucioneve. Kjo vlerësoj se është zgjidhja pasi çdo alternativë tjetër do të nënkuptonte trazira duke mos përjashtuar edhe viktimat“, thotë Bilalli.

Nga ana tjetër, kryetar i Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev thotë se nuk do ta ndalë publikimin e dëshmive për punën kriminale të qeverisë.

Audio-incizimet e ardhshme, sipas tij, kanë të bëjnë me falsifikimin e zgjedhjeve, projektin kundërthënës “Shkupi 2014“ për të cilin janë shpenzuar qindra miliona euro, por edhe për aktivitetet e paligjshme të partive politike shqiptare.

Në dëshmitë që së fundi prezantoi, ministrat Jankullovska dhe Stavreski, flisnin pikërisht për punët e paligjshme financiare që vinin si rezultat i urdhërave të kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Sipas liderit të opozitës, Zoran Zaev, bisedat e përgjuara, të cilat ai i ka siguruar, janë bërë me urdhër të Drejtorit për Zbulim dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov dhe kryeministrit Nikolla Gruevski për të pasur nën kontroll, madje edhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërt, siç ka deklaruar lideri i opozitës.

XS
SM
MD
LG