Ndërlidhjet

Maqedoni: Institucionet jo efikase në luftimin e korrupsionit


Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Maqedoni, janë shprehur skeptik se anëtarët e rinj të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, do të jenë më efikas se sa përbërja e kaluar.

Petrit Saraqini, nga Instituti maqedonas i mediave, vlerëson se nuk mund të shpresohet në çfarëdo lloj rezultati nga puna e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, përderisa siç thekson ai, vendimet e këtij organi në vazhdiëmsi është dëshmuar se ndikohen nga politika ditore.

“Anëtarët të cilët zgjidhen atje, votohen nga parlamenti dhe është mëse e qartë se në përzgjedhjen, ndikim ka shumica parlamentare përkatësisht pushteti, veçanërisht në kushte ku opozita maqedonase bojkoton punën e parlamentit".

"Për fat të keq, anëtarët e këtij komisioni, nuk kanë treguar rezultate në luftën kundër korrupsionit, përkatësisht nuk kanë demonstruar se veprojnë si organ i pavarur që është një nga kushtet themelore të këtij organi", thekson Saraqini.

Ndërkohë, 15 organizata joqeveritare të bashkuara rreth një platfome të përbashkët në luftën kundër korrupsionit, kanë kërkuar nga të gjitha institucionet përkatëse të cilat janë të thirrura të luftojnë korrupsionin, përfshirë këtu dhe Komisionin për Antikorrupsion, që në një afat prej 30 ditësh të prononcohen rreth fillimit të hetimeve lidhur me aferën e përgjimeve.

“Me shumë vëmendje i ndjekim bisedat telefonike në të cilat pretendohet se zyrtarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në korrupsion. Pa marrë parasysh se cili është burimi i bisedave të regjistruara, përmbajtja sugjeron ekzistimin e korrupsionit, përfshirë edhe keqpërdorimin masovik të pozitës zyrtare”, është shprehur Misha Popoviq nga Instituti për Demokraci Societas Civilis.

Organizatat joqeveritare të cilat në fokus kanë luftën kundër korrupsionit, gjithashtu kanë theksuar se Komisioni për Antikorrupsion lidhur me "aferat korruptive" të publikuara nga opozita, "pavarësisht se bëhet fjalë vetëm për dyshime konform detyrave të përcaktuara me ligj, është dashur të përgatisë një raport të detajuar të cilin gjerë më tani duhej ta kishte dorëzuar në Prokurori".

Pavarësisht kësaj, përbërja e Komisionit për Antikorrupsion, më shum ëse dy muaj pas publikimit të bisedave nga ana e liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev, nuk ka ngritur asnjë procedurë.

Petrit Saraqini, nga Instituti maqedonas i mediave, thotë se problemi që ky institucion ndjehet komod edhe kundrejt mos kryerjes së obligimeve të pëcaktuara me ligj, qëndron në kontrollin e theksuar ndaj pjesës më të madhe të mediave.

“Për fat të keq, një pjesë e madhe e mediave është po ashtu nën kthetrat e pushtetit, nga ana tjetër, zëri i mediave kritike nuk ka dhe aq hapësirë për tu dëgjuar në opinion dhe kjo ndikon në atë që mos krijohet një presion i mjaftueshëm ndaj këtij trupi të pavarur që duhet të luftojë korrupsionin”, thekson Saraqini.

Kritika të ashpëra ndaj organeve të shtetit se nuk angazhohen seriozisht në luftën kundër korrupsionit, në fund të mandatit të tij gjatë vitit të kaluar, pati drejtuar edhe ish amabasadori amerikan në Shkup, Paul Wolers duke ironizuar se “në Maqedoni ka zero korrupsion”, duke komentuar të dhënat e dikasterit të policisë se 1480 persona janë akuzuar për korrupsion, ndërsa asnjëri prej tyre nuk është dënuar nga organet e gjyqësorit.

Ndryshe, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, është themeluar në vitin 2002, me ç`rast Kuvendi i Maqedonisë është ai që përcakton anëtarët e komisionit me mandat katër vjeçar.

XS
SM
MD
LG