Ndërlidhjet

UP: Një profesor për 50 studentë


Numri i stafit akademik në Universitetin e Prishtinës ”Hasan Prishtina” në Kosovë, me atë të studentëve, është në shpërputhje të madhe proporcionale.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i studentëve është mbi 53 mijë, kurse numri i mësimdhënëseve të rregullt është 1030 (profesorë, asistentë dhe lektorë) .

Durim Berisha, këshilltar për media në Universitetin e Prishtinës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ky raport në mes numrit total të mësimdhënësve dhe studentëve krijon situata të tilla që një profesor të jetë në proporcion me 50 studentë.

Për këtë çështje, ai thotë se universiteti ka kërkuar nga autoritetet kompetente që të gjejnë mundësi që të harmonizohet numri studentë –profesorë.

“Universiteti i Prishtinës pasi ka pranuar raportet nga Njësitë Akademike, ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë( MASHT), që të merr në konsideratë numrin e stafit akademik me rastin e regjistrimit të studentëve të rinj për vitin e parë të studimeve në vitin e ardhshëm akademik me qëllim të harmonizimit të proporcionit në mes të numrit të mësimdhënësve me numrin e studentëve”, tha Berisha

Edhe Dukagjin Pupovci, udhëheqës i Qendrës për Arsim, thotë se përpjesëtimi një profesor për 50 studentë ekziston në Universitetin e Prishtinës.

Ai ndërkaq tregon që sipas standardeve ndërkombëtare, kjo shifër duhet të jetë një mësimdhënës në 10 eventualisht 15 studentë.

“Është tipike për universitetet e rajonit që të jetë një me 10-15, dikund mund të shkojë pak më shumë, por shifra të tilla nuk ka në rajon e mos të flasim për vendet e zhvilluara".

"Ne nuk kemi kapacitete që mund të arrijmë përpjestime të standardeve ndërkombëtare, pasi problem është numri i madh të studentëve, sepse numri i stafit akademik nuk është aspak lehtë të rritet”, shprehet Pupovci.

Megjithatë, Pupovci konsideron se numri i mësimdhënësve nuk është i vogël, por problem sipas tij, paraqitet numri i madh i studentëve.

Sido që të jetë, Pupovci thotë se kjo shpërputhje në mes numrit të stafit akademik dhe numri tejet i madh të studentëve, ka ndikuar që arsimi universitar të ballafaqohet më cilësi të ulët të studimeve.

“Mendoj se pikërisht ky proporcion, numri i madh i studentëve apo numri i vogël i mësimdhënësve është shkaktari kryesor i mungesës së cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë”, tha Pupovci.

Ndryshe, numri i madh i studentëve, pikërisht në Fakultetin Ekonomik dhe Juridik, ka bërë që mbi 200 studentë të mbajnë ligjërata në një sallë jo shumë të madhe.

XS
SM
MD
LG