Ndërlidhjet

Kosova së shpejti me një program të ri me FMN-në


Autoritetet në Kosovë gjatë takimeve pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore të mbajtura në Uashington kanë arritur një marrëveshje në parim për një program të ri me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Këtë e kanë konfirmuar gjatë një konference për media ministri i Financave Avdullah Hoti dhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza.

Ky program, sipas ministrit të Financave Avdullah Hoti do të hapë mundësitë për projekte zhvillimore në Kosovë.

“Kosova ka stabilitet makro fiskal dhe nuk ka nevojë për program më Fondin Monetar Ndërkombëtar për të ruajtur stabilitetin makro fiskal sepse ne e mbajmë vetë atë, por kemi nevojë për mbështetje të Fondit për të siguruar një kredibilitet te organizatat ndërkombëtare karshi financave publike, që ne të kemi mundësi që të hyjmë në kredi ndërkombëtare tek Banka Botërore dhe të organizatat tjera financiare ndërkombëtare që janë të gatshme të financojnë projektet e Qeverisë së Kosovës”, sqaron Hoti.

Ministri Hoti, ka bërë të ditur se gjatë këtyre takimeve kanë prezantuar edhe disa projekte specifike për financim nga Banka Botërore, të cilat siç thekson ai kanë marrë mbështetje në parim.

Sipas Hotit, këto projekte kanë të bëjnë me ujitjen e tokave bujqësore në Kosovë, projekti i informatizimit të plotë të shkollave, projekti i modernizmit të shëndetësisë si dhe projekti për funksionalizmin e hekurudhave nga Klina deri në Prizren.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza ndërkohë ka theksuar se hyrja në një program me Fondin Monetar Ndërkombëtar është mjaft e rëndësishme për Kosovën.

“Qëllimi është që ne të kemi një program me Fondin Monetar Ndërkombëtar jemi dakorduar në parim që të kemi një program dhe arsyeja e këtij programi nuk qëndron në ruajtjen e stabilitetit makro fiskal dhe financiarë, por një program më qellim të themelimit të bashkëpunimit me institucionet tjera për përkrahjen financiare në projektet zhvillimore”, tregon Hamza.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, anëtar i së cilës Kosova është që nga viti 2009, në vitin 2011 kishte ndërprerë marrëveshjen Stand By Arrangment me Qeverinë e Kosovës, për shkak se kjo e fundit kishte devijuar nga programi, respektivisht shkaku i rritjes së pagave në sektorin publik, pa pëlqimin e këtij misioni.

XS
SM
MD
LG