Ndërlidhjet

Maqedoni: Gruevski paralajmëron ndryshimin e ekipit të tij


PAmje nga Kongresi i XV i VMRO DPMNE-së.
PAmje nga Kongresi i XV i VMRO DPMNE-së.

Lideri i VMRO DPMNE-së, njëherësh kryeministër i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka paralajmëruar ndryshimin e ekipit të tij.

Megjithatë, ai nuk e ka definuar qartë se nëse do t’i largojë nga detyra ministrat, dhe shefin e shërbimeve sekrete, si më të apostrofuarit në aferën e përgjimeve, që sipas opozitës, janë të zhytur në veprime kriminogjene, dorëheqja e të cilëve është kërkuar edhe nga faktori ndërkombëtar.

Por, Alajdin Demiri, analist politik, thotë se “me vetë faktin se kandidatura e Gruevskit është paraqitur si kandidaturë e vetme për kryetar të VMRO DPMNE-së, dëshmon, siç shprehet ai, këmbënguljen për të vazhduar me avazin e vjetër.

“Këta katër-pesë ministrat, të cilët paraqiten si ‘kurban’, si më të thirrurit gjatë publikimit të bisedave nga ana e opozitës në kuadër të aferës së përgjimeve, ai(Gruevski) në këtë moment edhe mund t`i flijojë funksionarët e lartë të Qeverisë së tij për të shpëtuar partinë”.

“Kjo është mundësia e vetme që mund ta bëjë. Në të kundërtën, ndryshime rrënjësore nuk mund të bëjë, sepse tërheqja e tij nga kreu i VMRO DPMNE-së, për të do të thoshte dhe fund i karrierës së tij politike”, konsideron Demiri.

Përderisa për politikologun maqedonas, Petar Arsovski, porositë e kryeministrit të Maqedonisë në kuadër të kongresit të XV, të partisë së tij, VMRO DPMNE-së, kanë të bëjnë kryesisht me menaxhimin e krizës së krijuar politike dhe veçanërisht goditjeve që ka marrë partia e tij.

“I gjithë fjalimi paraqet një tentim për të sanuar krizën e krijuar në shtet, po ashtu edhe krizën që po e ndjen fuqishëm dhe partia e tij. Të paktën ajo që pritej ishte ajo që ai të paraqitet me një vendim përfundimtar për të dalë nga kjo krizë para së gjithash Maqedonia, si shtet, po dhe partia e tij”.

“Andaj do ta vlerësoja si shumë dëshpërues fjalimin e tij. Pas kësaj, është më se e qartë se Gruevski është vënë në pozicion që nuk mund t’i zgjidhë problemet me veprime, të cilat kërkojnë guxim, sepse pozita e tij është shumë e ndjeshme edhe në vetë partinë që e drejton”, vlerëson Arsovski.

Ndërkohë, Nikolla Gruevski, para delegatëve të VMRO DPMNE-së u zotua se do të këtë zgjidhje juridike dhe politike”, me atë që pushteti, por edhe opozita do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e mundshme të paligjshme.

“Qëndrimi ynë është të ketë hetim edhe për shkeljet e tyre ndaj ligjeve, por edhe për ato, për të cilën na akuzojnë ne. Neve na duhet një hetim i pavarur dhe transparent dhe do të bëjmë gjithçka të mundur, që hetimi të jetë i plotë dhe transparent. Pa një hetim të tillë, të gjithë do të mbetemi të dyshuar para syve të qytetarëve”.

“Nëse në atë hetim dëshmohet se dikush nga ne ka gabuar, le të përgjigjet përpara ligjit dhe institucioneve. Por nëse nuk ka gabuar, ajo duhet të publikohet me qëllim që të shpërlahen fëlliqësirat që Zaevi po na hedh çdo ditë”, ka theksuar Gruevski.

E, analisti politik nga Tetova, Alajdin Demiri, konsideron se Gruevski, kur flet për zgjidhje juridike, paraprakisht tenton të sigurojë garanci nga faktori ndërkombëtar se ai, personalisht, do të jetë i amnistuar.

“Në kuadër të një zgjidhjeje politike, sipas meje, Gruevski kërkon një marrëveshje, sipas së cilës ai nuk do të procedohej, që do të thotë se ata që do t’i flijojë, mund të procedohen. Pra, në këtë mënyrë Gruevski e sheh zgjidhjen politike”.

“Me siguri se bisedimet, të cilat bëhen në Bruksel zhvillohen po rreth kësaj çështje, përkatësisht të arritjes së një zgjidhjeje politike, ndërkohë zgjidhja juridike të procedohet më vonë, ose të krijohen kushte për amnisti për funksionarët e lartë të kësaj partie, por së pari ai mendon për veten e tij”, thekson Demiri.

Ndryshe, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, në kuadër të kongresit XV të partisë, për të katërtën herë është rizgjedhur për të drejtuar VMRO DPMNE-në, në krye të cilës parti është që nga viti 2003.

XS
SM
MD
LG