Ndërlidhjet

Gabime gjuhësore dhe "fyese" në tekstet shkollore të Maqedonisë


Gabime të shumta gjuhësore dhe pyetje me përmbajtje fyese edhe këtë vit janë evidentuar në tekstet e jashtme për nxënësit e shkollave fillore me mësim në gjuhën shqipe.

Lëshimet e shumta gjuhësore sipas Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar (LASH) dhe profesorëve të gjuhës shqipe, janë të pranishme thuajse në të gjitha lëndët, por më së shumti në pyetjet në lëndët e “Arsimimit Qytetar“.

Përveç gabimeve gjuhqësore, aty vërehen edhe pyetje me tendenca raciste thotë, Nuhi Dardhisha, kryetar i LASH-it duke kërkuar përgjegjësi për hartuesit e teksteve.

Gjatë formulimit të pyetjeve, nxënësit shqiptarë paraqiten si të denjë “për profesionin e blegtorit, me prindër që pak janë të interesuar për shkollimin e fëmijëve, apo edhe si nxënës problematik që madje marrin guxim të vjedhin edhe ditarët e shkollës“.

Nga ana tjetër, nxënësit maqedonas tregohen si “të interesuar për zhvillimin e shkencës, për gara mes tyre se cili do të jetë kryetar i klasës“, e kështu me radhë.

Dardhishta thotë se fyerje në baza etnike ka pasur edhe më parë, por kjo me tekstet shkollore, sipas tij, kërkon përgjegjësi urgjente.

“Kjo është në vazhdën e të gjitha ofendimeve pasi ne e dimë se çfarë fyerje bëhen ndaj shqiptarëve sidomos kur kemi zgjedhje dhe ata asnjëherë nuk janë sanksionuar. Por, është e pa pranueshme që ofendime të tilla të bëhen edhe tek nxënësit, ata janë të mbrojtur edhe me kartën e Kombëve të Bashkuara për të drejtat e fëmijëve".

"Ne vlerësojmë se duhet të ketë përgjegjësi piramidale dhe patjetër që hartuesit e këtyre pyetjeve dhe përkthyesit që nuk i kanë parë këto gabime të sanskionohen“, thotë kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar, Nuhi Dardhishta.

Salajdin Saliu, drejtues i katedrës së gjuhës shqipe dhe letërsisë shqipe në Universitetin Shtetëror të Tetovës, thotë se është për të ardhur keq kur gabime dhe fyerje të tilla bëhet kur Ministria e Arsimit drejtohet nga kuadër shqiptar.

“Është për të ardhur keq se paragjykimet dhe stereotipet në Maqedoni prodhohen në mënyrë institucionale dhe prodhohen thjesht me taksat e qytetarëve të Maqedonisë. Thjesht botohen libra të cilat fyejnë parasegjithash shqiptarët dhe ky është një fenonom tepër i rrezikshëm veçmas në shoqëritë multietnike".

"Mendoj se edhe më keq është kur këto gjëra ndodhin kur kemi ministrin shqiptar dhe drejtuesen e sektorit për përpilimin e pyetjeve. Ata tentojnë që këtë ta minimizojnë duke thënë se është e qëllimshme apo ku e di se çka, por megjithatë formulimet e tilla janë të qëllimshme“, deklaroi Saliu.

Ai thotë se në këtë rast duhet të dëgjohet në veçanti zëri i mësuesve.

“Në momentin kur ata e hasin një ofendim të tillë, ata duhet të ndërpresin çdo lloj testimi dhë në mënyrë kolektive të kërkojnë përgjegjësi për fyerjet që u bëhen shqiptarëve“, thotë Saliu.

Nga Qendra Shtetërore për provime, pranojnë se në pyetjet e testimit të jashtëmka gabime gjuhqësore, por jo edhe fyerje ndërsa për raportimet e tilla fajësojnë mediat, të cilat, sipas drejtores Mirushe Ahmeti, kanë keqinterpretuar pyetjet e testimit, apo i kanë transmetuar në mënyrë selektive.

Ajo thotë se për të gjitha gabimet nxënësit dhe mësuesit mund t'i drejtohen komisioneve përkatëse.

“Vërtet nuk ka pasur karakter negativ apo ndonjë qëllim që të nxis revolt apo tendencë, pa dallim i takon palës maqedonase, turke, boshnjake, rome, serbe apo shqiptare. Nuk bëjmë dallime etnike edhe gjatë përpilimit të testeve edhe gjatë realizimit të testeve”, deklaroi drejtoresha Mirushe Ameti.

Nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptar, ndërkohë kanë përsëritur kërkesën për përfshijen edhe të mësuesve apo konsultimin e opinionit më të gjërë të ekspertëve gjatë hartimit të teksteve apo pyetjeve të provimit të jashtëm që të mos përsëriten fyerje të tilla dhe gabime të shumta gjuhësore.

XS
SM
MD
LG