Ndërlidhjet

Interpretim i raportit të BE-së, në vija partiake


Partitë politike në pushtet në Maqedoni, vazhdojnë të akuzojnë opozitën për krizën politike në vend dhe rrjedhimisht për kritikat që vijnë nga Bashkimi Evropian, përfshirë edhe rekomandimet e fundit të Këshillit për Punë të Përgjithshme për zbatimin e marrëveshjes së 2 qershorit.

Me këtë marrëveshje të arritur me ndërmjetësim të Komisionerit për Zgjerim dhe Fqinjësi, Johannes Hahn, parashihet edhe forma e re e qeverisë deri në zgjedhjet e parakohshme në prill të vitit të ardhshëm.

Brukseli, veç tjerash, kërkon zbatimin e reformave në sferën e gjyqësisë, si dhe detyrimet tjera gjatë periudhës kalimtare që duhet të shfrytëzohen për kthimin e besimit te institucionet.

“Konsideroj se ato përputhen me percepcionin që është krijuar me krizën politike të motivuar nga sjellja e LSDM-së me aferën e përgjimeve. Sidoqoftë këtu ka një punë të mirë se të gjitha rekomandimet, sugjerimet dhe zbatimi i tyre kanë të bëjnë me perspektivën evropiane të Maqedonisë, atë që e meritojmë, pra me fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE".

"Me rëndësi gjithashtu është se BE-ja apostrofon rëndësinë e marrëveshjes së 2 qershorit dhe përgjegjësia e partive politike do të vlerësohet në bazë të obligimeve që do të ndërmarrin për përmbushjen e të gjitha detyrimeve të cilat do të jenë në dobi të Maqedonisë“, ka deklaruar Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE-ja, duke iu shmangur pyetjes lidhur me vërejtjet e Këshillit të BE-së, i cili kërkon hetim të pavarur dhe lidhur me atë që njihet si aferë e përgjimeve.

“Kjo është çëshje e prokurorisë, e gjyqësisë, andaj vlerësoj se duhet ato duhet t'i kenë duart e lira dhe integritet të plotë që të mund të veprojnë ndaj çdo dyshimi ose rasti që ekziston apo nuk ekziston“, thotë Milloshoski.

Nga Lidhja Social-Demokrate e opozitës, përshendesin rekomandimet e Bashkimit Evropian lidhur me zhvillimet në Maqedoni, të cilat, sipas saj, reflektojnë gjendjen, por edhe detektojnë faktorët e krizës politike.

“Mendoj se këto konkluzione sikur edhe raporti i grupit të ekspertëve nën udhëheqjen e Reinhard Pribe, ish drejtorit të Drejtorisë për Zgjerim të BE-së, pasqyron gjendjen në Maqedoni edhe pse për mendimin tonë pak është më i butë nga gjendja reale. Por, sidoqoftë ato flasin shumë dhe paraqesin një mesazh të qartë për pushtetin aktual në Maqedoni“, ka deklaruar zëdhënësi i Lidhjes Social-Demokrate, Petre Shilegov.

I pyetur lidhur me kërkesën e Brukselit për hetimin e plotë të pretendimeve të opozitës për përfshirjen e pushtetit në veprime të paligjshme të zbardhura nga afera e përgjimeve, Shilegov thotë se opozita është pesimiste se kjo do të mund të arrihet.

“Për fat të keq në Maqedoni me zgjidhje të këtilla personale të bartësve të funksioneve publike, nuk mund të presim apo të themi se ajo ka kapacitet që t'i zbatojë masat e propozuara për nxjerrjen e vendit nga kriza politike. Pa dorëheqjen e bartëve të funksioneve e parasegjithash të prokurorit publik, hetim nuk mund të pritet“, thotë Shilegov.

Nga partitë shqiptare në Maqedoni, është prononcuar Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Ne duhet që sa më shpejtë të realizojmë rekomandimet e tanishme, por edhe ato që do të vijnë në të ardhmen nëse dëshirojmë të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian“, komentojnë shkurt nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Rekomandimet e Brukselit, vijnë pas raportit të grupit të ekspertëve të BE-së, në të cilin institucionet kritikohen për krizën politike ndërsa për aferën e përgjimeve gishti drejtohet nga Drejtoria e Zbulimit dhe Kundërzbulimit.

Në raport thuhet se shërbimet sekrete punojnë për interesa të pushtetit aktual ndërsa kritikat tjera kryesisht kanë të bëjnë me dyshimet për krim, korrupsion dhe shkelje tjera ligjore nga drejtuesit e institucioneve.

XS
SM
MD
LG