Ndërlidhjet

Maqedoni: Rishikimi i buxhetit në funksion të politikave zhvillimore (?)


Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni, thonë se rishikimi i buxhetit i cili merr vizë pa pjesëmarrjen e partisë më të madhe në opozitë, Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, pa ndonjë debat përmbajtjesorë, kryekëput është në funksion të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat duhet të mbahen pas tetë muajve.

Me rishikimin e buxhetit të Maqedonisë parashihet që rritja ekonomike të arrijë në 3.5 për qind të bruto prodhimit vendorë, me atë që në arkën shtetërore i bie 58 milionë euro plotësuese, ndërkohë që parashihen të shpenzohen 84.6 milionë më shumë nga ajo që ishte paraparë gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2015.

Ish zëvendësministri i ekonomisë Zoran Vitanov, vlerëson se pushteti udhëhiqet nga politikat egocentrike me atë që buxhetin e shtetit pushteti e konsideron si pronë personale, duke anashkaluar faktin se arka e shtetit mbushet nga paratë e qytetarëve dhe pikërisht interesat e qytetarëve duhet t'i ketë prioritet.

“Pjesëtarët e pushtetit kohën e fundit konsiderojnë se arkën e shtetit e kanë trashëguar nga prindërit e tyre dhe në atë mënyrë sillen. Balanci i sërishëm bëhet kryekëput për nevojat e pushtetit dhe aspak për nevojat e qytetarëve dhe aq më pak për nevojat e sektorit të biznesit”, thekson ish zëvendësministri i ekonomisë Zoran Vitanov, duke shtuar se nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për rimëkëmbjen e kompanive të vogla dhe atyre të mesme të cilat paraqesin arterien kryesore të ekonomisë së vendit.

Nga ana tjetër Arben Halili, ekspert i ekonomisë, konsideron se kjo çështje nuk projektohet në bazë të mundësive reale të arkës shtetërore, andaj siç thekson ai, pjesa më e madhe e projekteve do të mbeten vetëm në letër.

“Rishikimi i buxhetit po bëhet më shumë për të krijuar një dozë shprese se qeveria po bën diçka të mirë për të zhvilluar ekonominë, por unë jam i bindur se edhe me këtë rishikim të buxhetit jo se nuk do të kemi zhvillim ekonomik, por do të vazhdojë të ngelet sikurse edhe projektet e tjera që mbeten në letër", thekson Halili.

Ai nënvizon se Qeveria e Maqedonisë edhe kësaj radhe përmes rishikimit të buxhetit të shtetit diskriminon pjesën perëndimore të Maqedonisë sa iI përket projekteve zhvillimore.

“Thjesht Qeveria e Maqedonisë po bën diskriminimin e zhvillimit të pjesës perëndimore të Maqedonisë. Ky buxhet përfshirë edhe në këtë rishikim absolutisht nuk mund të thuhet se është në mbështetje të zhvillimit të barabartë të rajoneve të pjesës perëndimore të shtetit".

"Në vazhdimësi përsëritet praktika që në letër të kemi projekte me interes për viset e banuara me shumicë të popullatës shqiptare, por jam skeptik se edhe ato pak projekte të parapara do të implementohen në praktikë për më shumë arsye të pakuptimta”, thekson Halili.

Ndryshe ministri i Financave, Zoran Stavreski, ka sqaruar se rishikimi i buxhetit për vitin 2015, nuk parasheh shkurtime te asnjë shfrytëzuesi buxhetor, por me rishikim do të intensifikohet realizimi i më shumë projekteve.

XS
SM
MD
LG