Ndërlidhjet

Zhvlerësimi i monedhës kineze dhe efektet në vendet e tjera


Zhvlerësimi i papritur i monedhës së Kinës, juan, ka rritur frikën për ngadalësimin e ekonomisë kineze, që mund të thotë edhe tkurrje e kërkesave për naftën, në muajt e ardhshëm.

Autoritetet kineze e kanë zhvlerësuar vetë juanin më 11 gusht, për gati 2 përqind, që është niveli më i ulët në dy dekada.

Ky veprim i ka përmbysur menjëherë çmimet e naftës. Në Shtetet e Bashkuara, çmimi ka rënë në 43 dollarë për fuçi, që është më i ulti në më shumë se gjashtë vjet.

Ky ka qenë lajm i keq edhe për Rusinë, e cila po rimëkëmbet nga një rënie e madhe e çmimeve botërore të naftës vitin e kaluar dhe nga sanksionet financiare që i kanë vendosur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për shkak të krizës në Ukrainë.

Pasi çdo rënie e çmimit të naftës dobëson rublën, vlera e së cilës është ngushtë e lidhur me eksportet e energjisë, modhedha ruse ka humbur menjëherë vlerën më 12 gusht, duke rënë në 64 rubla për një dollar.

Edhe në vendet e tjera që mbështeten në eksportet e energjisë dhe të mallrave të tjera, monedhat kanë pësuar rënie nga zhvlerësimi në Kinë dhe frika për kërkesa të reduktuara.

Vendet që mund të reagojnë më fuqishëm, janë kryesisht në Azinë Lindore dhe që konkurrojnë drejtpërdrejt me Kinën në eksportimin e mallrave të prodhuara në tregun botëror. Zhvlerësimi në Pekin e bën eksportin e Kinës më të lirë dhe rivalët e saj nuk duhet ta ndjekin shembullin.

Por, sa mund të zgjasë efekti?

Shumë analistë e shohin veprimin e Pekinit si përpjekje për të stimuluar ekonominë, e cila ka raportuar rritje për 7 përqind të Bruto Prodhimit Vendor (GDP) gjatë çerekëve të parë dhe të dytë të këtij viti, që është ritmi më i ngadaltë në gjashtë vjet.

William Jackson, ekonomist i tregjeve në zhvillim, me seli në Londër, thotë se nuk pret që kërkesa e Kinës për naftë, të reduktohet.

“Nuk duket se Kina papritmas do të ndalojë të kërkojë naftë, aq sa ka kërkuar më parë. Mendoj se ekonomia kineze do të mbahet mirë gjatë disa tremujorëve të ardhshëm, andaj kërkesa për naftë atje nuk duhet të ndryshojë në veçanti”, thotë Jackson.

Vetë Kina thotë se zhvlerësimi i monedhës së saj nuk ka të bëjë me stimulimin e ekonomisë së ngadalësiuar, por ka qëllim që ta bëjë kursin e këmbimit më të orientuar drejt tregut. Kjo vjen në kohën kur Kina pret që juani i saj të fitojë statusin e monedhës rezervë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Banka Qendrore e Kinës, e cila më parë ka vendosur kursin e këmbimit për monedhën përmes intervenimit të vazhdueshëm, ka thënë se tani do t’iu japë tregjeve më shumë zë.

Ky veprim mund t’i forcojë argumentet e Pekinit para FMN-së, se monedha e tij i plotëson kushtet për të qenë një mjet transparent dhe i besueshëm për tregtinë ndërkombëtare.

Në anën tjetër, për shumë vende, përfshirë edhe Rusinë, forcimi i dollarit rrit koston e pagesës së borxheve ndërkombëtare, të cilat shpesh kërkohen në dollarë.

Charles Robertson, ekonomist në bankën e investimeve Rilindja e Kapitalit në Londër, thotë se problemi bëhet veçanërisht i rëndësishëm për vendet me tregje në zhvillim, kur monedhat e tyre janë të dobëta dhe kur çmimet e mallrave janë poshtë.

“Kur tri gjëra ndodhin në të njëjtën kohë - monedhat e tregut bien kundrejt dollarit, çmimet e mallrave bien dhe borxhi i jashtëm bëhet më problematik - atëherë është më keq për tregjet në zhvillim sesa për monedhën e Kinës”, thotë Robertson.

Dollari amerikan është duke u forcuar qysh vitin e kaluar, për shkak të performancës së përmirësuar të ekonomisë amerikane, dhe ka të ngjarë të rritet edhe më shumë nëse Rezerva Federale e SHBA-së rrit normat e interesit këtë vit, ashtu siç e ka lënë të kuptohet.

Një efekt i rritjes së normave të interesit do të jetë shndërrimi i dollarit në një monedhë edhe më tërheqëse për investitorët globalë, në kohën kur shumë monedha të tjera janë të dobëta.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG