Ndërlidhjet

Gjykata “çmonton bombat“ e opozitës


Zoran Zaev, gjatë konferencës për shtyp së Lidhjes Social Demokrate në Maqedoni
Zoran Zaev, gjatë konferencës për shtyp së Lidhjes Social Demokrate në Maqedoni

Gjykata e Shkupit ka hedhur poshtë të gjitha materialet e paraqitura nga opozita në procesin gjyqësor kundër zyrtarëve të lartë shtetëror, përfshirë kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski, lidhur me atë që njihet si aferë e përgjimeve.

Në një njoftim të gjykatës thuhet se dëshmitë e prezantuara nga opozita janë siguruar në mënyrë të paligjshme, andaj edhe nuk mund të jenë objekt i procedurës gjyqësore.

Bëhet fjalë për bisedat e përgjuara telefonike, të cilat opozita i ka prezantuar për disa muaj me radhë, e të cilat sipas saj, “dëshmojnë punën kriminale të qeverisë, ndërhyrjen në pushtetin gjyqësor, falsifikimin e zgjedhjeve, presionet ndaj mediave, kurdisjen e tenderëve, përfime të shumta materiale si dhe presione deri në likuidime të kundërshtarëve politikë“.

Bisedat mes zyrtarëve lidhur me këto akuza nuk janë pranuar nga gjykata si dëshmi në procesin gjyqësor që opozita kishte ngritur ndaj përfaqësuesve të Qeverisë së Maqedonisë.

Lidhja Social Demokrate në opozitë, vendimin e gjykatës e ka quajtur “skandaloz“.

Ajo beson se pas kësaj qëndrojnë tendenca të pushtetit për të minimizuar, apo edhe anuluar nevojën e zgjedhjes së prokurorit special, puna e të cilit ka të bëjë pikërisht me hetimin e aferës së përgjimeve.

Të martën kreu i opozitës, Zoran Zaev tha se çdo përpjekje për të zvarritur zgjedhjen e prokurorit deri më 15 shtator, do të nënkuptonte edhe fundin e marrëveshjes politike.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se vendimi i gjykatës së Shkupit nuk mund të pengojë prokurorin special që ai të nisë hetime që për bazë do të kishin bisedat e përgjuara telefonike.

“Këto biseda veçmë janë në leter, në to ka përmbajtje serioze dhe indikacione për vepra kriminale dhe çdo prokuror që respekton ligjin do të kishte një bazë të mirë se prej nga duhet të filloj hetimin e aferës“, thotë Aleksandar Tortevski, ekspert për çështje juridike dhe avokat në shumë procese të rendëishme gjyqësore.

I të njejtit mendim është edhe ish prokurori publik republikan, Jovan Tërpenovski.

“Nuk ka asnjë pengesë juridike apo procedurale që prokurori special të veprojë në bazë të padive që ishin dorëzuar pranë prokurorit publik aktual ndërsa mund të paraqiten edhe padi të tjera të veçanta. E them këtë pasi sjellja e vendimit pa një hetim të thellë nuk do të thotë se është zgjidhur problemi në bazë të procedurave ligjore. Prokurori special mund të veproj edhe pa veprime plotësuese procedurale“, thotë Tërpenovski.

Vendimi i gjykatës nuk është komentuar nga partitë pushtet, por VMRO-DPMNE-ja dhe vetë kreu i saj, Nikolla Gruevski, disa herë qartë kanë bërë me dije se “afera e përgjimeve është e montuar nga opozita me ndihmën e shërbimeve sekrete nga jashtë, me qëllimin e vetëm, destabilizimin e Maqedonisë“.

Por, pavarësisht këtyre vlerësimeve, kryeministri Gruevski para presioneve të bashkësisë ndërkombëtare u detyrua të ulet në bisedime dhe të pranojë zgjedhje të prakohshme parlamentare, të dorëhiqet deri në fund të vitit si dhe pranojë hetimin e aferës së përgjimeve nga një prokuror speciale që duhet të zgjidhet deri më 15 shtator.

XS
SM
MD
LG