Ndërlidhjet

Maqedoni: Sfidat e zbatimit të marrëveshjes politike


Ilustrim
Ilustrim

Moszgjedhja e prokurorit special në Maqedoni rrezikon dështimin e tërë marrëveshjes politike për zgjidhjen e krizës, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, duke komentuar ngecjet në bisedimet mes partive për formën dhe përbërjen e ekipit të prokurorit special që duhet të hetojë aferën e përgjimeve.

Dy ditë para datës 15 shtator kur edhe skadon afati i paraparë për zgjedhjen e tij në Kuvend, partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta, para së gjithash për përbërjen e ekipit të prokurorit.

Lidhja Social-Demokrate e opozitës kërkon që prokurori të ketë një ekip të zgjeruar të prokurorëve dhe të një stafi tjetër ndihmës, por me këtë nuk pajtohet VMRO-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski duke thënë se ai vetë duhet të kryejë obligimet që parashihen me marrëveshjen politike.

“Mendoj se çështja kyçe e këtij problemi do të jetë shtyrja e tij në pakufi, pasi partitë nuk do të mund të merren vesh për shkak se që të mund prokurori të funksionojë ashtu siç kërkohet, ai duhet të jetë krejtësisht i pavarur, i mbuluar ekonomikisht dhe fizikisht. Por, këtë Maqedonia nuk është në gjendja t'ia sigurojë, e posaçërisht pushteti aktual”, thotë Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike.

Lidhur me ngecjet në bisedime, ndërmjetësi ndërkombëtar, Piter van Hojt, fajëson, siç shprehet ai, “një parti të madhe politike“ duke aluduar në VRMO-DPMNE-në e kryeministrit, Nikolla Gruevski.

“Kjo nuk është mënyra e të biseduarit, nuk mund të arrish marrëveshje nëse nuk e respekton atë që keni akorduar“, deklaron diplomati belg, Piter van Hojt.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav, thotë se prokurori duhet të zgjidhet në afatin e paraparë dhe se nuk ka ndonjë plan B, siç flitet në opinion.

“Opozita, më 1 shtator u kthye në Kuvend, që ishte një nga elementët kyç të marrëveshjes. Tjetri afat me rëndësi vjen javën e ardhshme, më 15 shtator, kur duhet të zgjidhet prokurori special nga katër partitë më të mëdha politike. Ditëve të fundit më kanë pyetur se a ka plan B nëse nuk zgjidhet prokurori. Jo, nuk kemi plan B. Prokurori special duhet të zgjidhet më 15 shtator“, deklaron ambasadori Orav.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se prokurori duhet të zgjidhet ashtu siç parashihet me marrëveshjen politike të arritur me ndihmën e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtar.

Jovan Tërpenovski, ish-prokuror, thotë se afera e përgjimeve ka nxitur krizën politike në vend dhe pikërisht ajo edhe imponoi uljen e partive në bisedime.

Sipas tij, çdo dështim në zgjedhjen e prokurorit, do të nënkuptonte edhe shmangien e partive nga obligimet e marra.

“Përmbajtja e bisedave të përgjuara telefonike ka nxitur krizën më të madhe politike dhe nëse tani dikush ndërmerr veprime për të penguar zbatimin e marrëveshjes së arritur, apo për të zgjedhur prokurorin special, atëherë shtrohet dilema se a kemi bisedime serioze mes partive apo sa ato janë të gatshme për të zbardhur rastin”.

“Prokurori special duhet të zgjidhet nëse dëshirojmë zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjen e krizës. Prokurori duhet të ketë ekip, por duhet të ketë edhe pavarësi financiare që të mund në mënyrë të pavarur të kryejë punën“, konsideron Tërpenovski.

Pas zgjedhjes së prokurorit special, partitë i presin edhe obligime tjera, si ndryshimi i Kodit Zgjedhor, pastrimi i listës, modeli zgjedhor, puna e televizionit publik dhe çështje tjera.

Deri në fund të vitit pritet edhe ndryshimi i Qeverisë për t’i hapur rrugën formimit të qeverisë kalimtare.

Kryeministri Nikolla Gruevski pritet të zëvendësohet nga një kuadër i propozuar nga partia e tij, ndërsa një nga sektorët kyç të ekzekutivit, Ministria e Punëve të Brendshme, do të drejtohet nga Lidhja Social-Demokrate.

Kjo parti do të drejtojë edhe ministri tjera me peshë. Qeveria kalimtare duhet të votohet deri më 15 janar, apo tre muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 24 prill.

Detyrë parësore e qeverisë kalimtare do të jetë organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

XS
SM
MD
LG