Ndërlidhjet

Maqedoni: Keqpërdorim i mjeteve publike


Keqpërdorimi i mjeteve publike nga ana e shumë institucioneve shtetërore në Maqedoni, konstatohet në vazhdimësi në raportet shtetërore, por sipas ekspertëve, problemi qëndron në mosverifikimin konkret dhe me kohë të prokurorisë në këtë drejtim.

“Sa i përket qasjes së institucioneve ndaj korrupsionit, vërtetë ekziston problem serioz përkatësisht neglizhencës që tregojnë institucionet përkatëse të cilat janë të thirrura të veprojnë në rastet kur Revizioni Shtetëror konstaton parregullsi gjatë shpenzimit të mjeteve nga arka e shtetit, nga ana e ndërmarrjeve publike ose drejtuesit e pushtetit qendror ose atij vendor”.

“Në bazë të ligjit, nëse Revizioni Shtetëror konstaton parregulëlsi, atëherë si institucion për të parandaluar korrupsioninështë i obliguar që dëshmitë t’ja ofrojë prokurorit publik, por problemi është në atë se këto parregullësi deponohen në formë të raportit, pra më pas në bazë të së cilit prokuroria duhet të vendos nëse do të ngreh padi ose jo, e që kryesisht vendos për të mos ngritur padi”, thekson Dragan Malinovski, ish anëtar i Komisionit për Luftimin e Korrupsionit.

Kjo, thotë Malinovski, do ta detyrojë prokurorinë të veprojë, përkatësisht ngushtojë hapësirën e gjykatave për t’u treguar absolutisht inert ndaj aferave korruptive që lidhen me strukturat udhëheqëse të pushtetit.

Ndërkaq, Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike, thotë se ligji që rregullon çështjen e luftës kundër korrupsionit është në rregull, por gishti për fajësinë drejtohet kah prokuroria.

“Çka duhet bërë në këtë situatë. Meqenëse frenimi është në prokurorinë, në mënyrë automatike prokurori publik, madje i gjithë stafi i prokurorëve duhet të shkarkohet nga detyra, Kjo është përgjegjësi, pra kemi të bëjmë me përgjegjësi politike dhe natyrisht për moskryerje të detyrave ka shumë elemente dhe përgjegjësi penale”, thekson Osman Kadriu.

Sipas tij, mbetet që të shpresohet se në materialet e përgjuara të opozitës ka dëshmi edhe për institucionet për të cilat Revizioni Shtetëror ka konstatuar parregullsi, por të njëjtat nuk u bënë publike nga ana e liderit të opozitës përmes përgjimeve, me atë që këto lëndë do të binin nën kompetencat e prokurorit special.

“Në qoftë se nga përgjimet përkatësisht nga të ashtuquajturat “bomba” politike të opozitës ka materiale të tilla, të cilat nuk kanë qenë të publikuara, pra opinioni nuk është i informuar, megjithatë ashtu siç e ka marrë përsipër opozita, përkatësisht Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, ato materiale duhet t’ja dorëzon prokurorit special dhe në këtë rast, sigurisht prokurori special do të thirret në kompetencat e veta dhe do t’i procedojë edhe këto raste”, thekson Kadriu.

Nga ana tjetër, Ana Janevska Delleva, thotë se lufta kundrejt korrupsionit vështirësohet dhe si rrjedhojë e mjeteve gjithnjë e më të pakta që ndan shteti për Komisionin Shtetërorë për Luftimin e Korrupsionit, si dhe Entin Shtetëror për Revizion.

“Në vazhdimësi shkurtohen mjetet për Komisionin Shtetëror për të parandaluar Korrupsionin si dhe Entin Shtetëror për Revizion, madje të dhënat e fundit flasin se mbi 80% e mjeteve me të cilat disponojnë këto dy institucione shkojnë për rrogat e të punësuarve, duke mbetur shumë pak mjete për veprime konkrete të cilat do të ndihmonin për të hulumtuar rrjedhat e parave”.

“Pra, kjo flet qartë për mungesën e vullnetit nga ana e pushtetit për të luftuar korrupsionin si një nga rrënuesit më të mëdhenj të funksionimit të shtetit demokratik”, thekson Ana Janevska Delleva nga organizata joqeveritare “Transparencë për Maqedoninë”.

Ndryshe edhe në raportin e fundit të ekspertëve të Komisionit Evropian kryesuar nga Reinhard Pribe theksohet se korrupsioni paraqet problemin më serioz me të cilin ballafaqohet Maqedonia.

XS
SM
MD
LG