Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke reaguar ndaj deklaratës së sotme të kryeministrit Isa Mustafa, thotë se është për keqardhje që kryeministri i vendit “nuk ka kuptuar asgjë” dhe se kundërshtimin e më shumë se 200 mijë qytetarëve të marrëveshjeve që i ka nënshkruar vetë, i cilëson probleme joreale.
Në një reagim të saj, AAK-ja thotë se nuk është aspak e vërtetë që nuk ka pasur dëshmi që i kundërshtojnë marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Ato kanë qenë shumë dhe nga shumë burime, por kryeministri nuk e ka parë të arsyeshme as t'i dëgjojë ato, e lëre më t'i konsiderojë”, thuhet në reagimin e AAK-së.
AAK thotë se “nuk është ‘hyxhymi’ i opozitës për të ardhur dhunshëm në pushtet, por shqetësues është hyxhymi i kryeministrit që dy marrëveshjet kontestuese, t'i bëjë akt të kryer”.
“Kryeministri është i obliguar që ta dëgjojë zërin qytetar, por edhe të opozitës dhe të mos veprojë me logjikën diktatoriale se çka është prolem real dhe joreal”.
“Është koha e fundit për maturi dhe qetësi politike e jo për kryeneçësi e selame nga Facebook-u!”, thuhet pos tjerash në reagimin e AAK-së.