Ndërlidhjet

Aksion policor dhe arrestime në Kumanovë


Kumanovë/ Foto nga arkivi
Kumanovë/ Foto nga arkivi

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka arrestuar disa persona gjatë aksionit të gjerë policor të quajtur “rrufeja” në fshatrat e rajonit të Karadakut si dhe fshatrat e malësisë së Shkupit përkatësisht në Malinë, Gushincë, Brezë dhe Kumanovë.

Gjendja në këto zona është e qetë pas largimit të policisë, por banorët thonë se akoma mbeten të trishtuar nga të shtënat e shumta të armëve nga ana e policisë.

Ndihmësministri i Punëve të Brendshme Ivo Kotevski, ka bërë të ditur se gjatë aksionit të sotëm policorë janë arrestuar 7 persona të cilët, siç ka theksuar ai, kanë ofruar ndihmë logjistike për grupin e armatosur lidhur me rastin e Kumanovës.

“Aksioni policor, në rajonin e Shkupit dhe Kumanovës, i cili ka filluar në orën tre pas mesnate ka të bëjë me të dyshuar për rastin e Kumanovës të cilët kanë ofruar ndihmë logjistike për grupin e armatosur,por nuk kanë qenë pjesë e grupit dhe luftimeve në Lagjen e Trimave, por në mënyra të ndryshme kanë ndihmuar qarkullimin dhe vendosjen e tyre në Kumanovë dhe në aksionin e Gushincë”, ka deklaruar Kotevski.

Ai ka shtuar se njëri nga të arrestuarit ka pasur detyrë të organizojë sulme në stacionet policore në Shkup me qëllim të defukusojë veprimet e policisë.

Ndërkohë, Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit ka ngritur hetim kundër 7 personave, të dyshuar për përfshirje në ngjarjet e 9 dhe 10 majit të këtij viti në Kumanovë, njofton Prokuroria Publike.

Nga Prokuroria njoftojnë se deri te gjykatësi nga hetimi paraprak është dorëzuar propozim për arrestimin e 7-të të dyshuarve.

“Në bazë të analizës nga argumentet e deritanishme nga hetimi në lidhje me ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë, prokurori kompetent për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ka dhënë urdhër për aplikimin e procedurës edhe për 7 persona. Prokurori kompetent deri te gjykatësi i procedurës së mëparshme ka dorëzuar propozimin për caktimin e masës paraburgim”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë Publike.

Por, ish deputeti Hisni Shaqiri nga fshati Hotël, i cili njëherësh është dhe ish pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, thotë se aksioni i sotëm policorë "ka për qëllim të kamuflojë dështimet rreth realizimit të marrëveshjes politike, përkatësisht pushteti për të mbuluar korrupsionin dhe krimin e organizuar dënohen zonat e malësisë së Karadakut në të cilat ka vepruar Ushtria Çlirimtare Kombëtare gjatë vitit 2001".

“Lagjja e Trimave, në Hotël, Breza, dhe gjithë ajo pjesë e cila ka qenë zonë lufte gjatë vitit 2001 përkatësisht gjitha vendbanimet ku ka vepruar brigada 113-të Ismet Kashari, kështu pas 14 vitesh kemi të bëjmë me një hakmarrje nga ana e pushtetit ndaj kësaj zone me aksione policore tenton të hedh fajin te shqiptarët".

"Qeveria përmes aksioneve policore mundohet të tërheq vëmendjen e qytetarëve dhe për dështimin e proceseve demokratike fajin ta hedhin tek shqiptarët. Kjo është dhe një papërgjegjësi edhe nga ana e udhëheqësve politik shqiptarë . Ne nuk duhet të jemi viktimë e proceseve të dështuara politike të qeverisë, është koha e fundit kur situatën duhet ta marrin në duar njerëz të përgjegjshëm”, ka shtuar Shaqiri.

Nga ana tjetër eksperti për çështje sigurie Vladimir Pivovarov, thotë se reagimi i organeve të policisë duhet të ishte i menjëhershëm për të evituar pasojat ndaj shoqërisë.

“Reagimi i policisë pas pesë muajve është i vonuar, mbase atëherë shërbimet policore nuk kanë pasur informacione të cilat tani i kanë siguruar andaj dhe në këtë moment e realizojnë aksionin".

"Megjithëse më së miri është të reagohet në mënyrë transparente, me kohë konform obligimeve ligjore, sepse vetëm në këtë mënyrë tek opinioni shmangen dyshimet, reagimet e vonuara lënë hapësirë për spekulime“, thekson Vladimir Pivovarov.

Ai njëherësh kujton se kryeministri Nikolla Gruevski në prononcimin e parë pas ngjarjeve të majit në Kumanovë kishte premtuar se për tre ditë opinionit do t`i sqarojë se çfarë saktësisht ndodhi në Lagjen e Trimave, por ky sqarim është anashkaluar gjer më sot.

"Një ditë, pavarësisht se sa kohë do të kalojë, pas hetimeve do të dalë në dritë e vërteta përkatësisht pse u zhvillua aksioni policorë në Lagjen e Trimave sepse gjurmët mbeten kudo sado që tentohet të hidhet hije ndaj kësaj ngjarje“ , thekson Pivovarov.

Ndryshe gjatë konfliktit të armatosur më 9 dhe 10 maj në Lagjen e Trimave në Kumanovë, mbetën të vrarë 20 persona, prej tyre 8 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 10 të grupit të armatosur, ndërsa mbi 30 të tjerë u arrestuan.

XS
SM
MD
LG