Ndërlidhjet

Katërmbëdhjetë fëmijët po rrezikohen nga i ftohti


Katërmbëdhjetë fëmijët po rrezikohen nga i ftohti
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00

Katërmbëdhjetë fëmijët po rrezikohen nga i ftohti

Shtatëmbëdhjetë anëtarët e familjes Mustafa, prej tyre katërmbëdhjetë fëmijë, kanë mbetur në mëshirë të institucioneve të Kosovës dhe njerëzve të vullnetit të mirë.

Radio Evropa e Lirë para dy viteve kishte vizituar familjen Mustafa.

Tani e 16 vjet ata jetojnë në kushte të rënda ekonomike dhe sociale, në një shtëpi jo shumë larg qendrës së Prishtinës.

Shtëpia, në të cilën jetojnë, nuk i plotëson kushtet elementare për jetë. Muret e plasaritura janë afër rrënimit, derisa shiu që binte, depërtonte brenda shtëpisë.

Ajo çfarë i duhet kësaj familjeje, siç thotë kryefamiljarja, është renovimi i shtëpisë, mjete këto, të cilat familja nuk është në gjendje t’i sigurojë, por kërkon ndihmë nga të tjerët.

“Në komunën e Prishtinës më kanë thënë që mund ta filloj me renovim të shtëpisë, pasi që pas katër vjetësh, kur t’i bëj 20 vjet që jemi duke qëndruar këtë kjo shtëpi, do të na takojë neve. Nëse lajmërohet dikush të më ndihmojë ta rinovojmë këtë shtëpi pak, nuk po them shumë, vetëm pak, për fëmijët, që ta kenë më ngrohtë në këtë dimër. Këtu në këtë shtëpi ka shumë lagështi, dërrasat e shtruara në dysheme janë të kalbura”, rrëfen Bahria, e zonja e shtëpisë.

Katërmbëdhjetë fëmijët e familjes Mustafa, më i vogëli 1 vit e gjysmë, kurse e madhja 21 vjeç, por rrezikohen nga i ftohti, thotë nëna e tyre, Bahria, e cila tregon se një fëmijë i saj ka vdekur vite më parë si pasojë e të ftohtit.

Pesë prej fëmijëve, shton ajo, kanë probleme shëndetësore. Derisa, Eliza, gjashtëvjeçare, dhe Alea vajza e tyre e vogël, vuajnë nga bronhipleumonia.

Në këtë familje është i punësuar vetëm kryefamiljari Bajram Mustafa, i cili ka një pagë mujor prej 250 eurosh.

Këto janë mjetet e vetme financiare të tyre. Pasi që në këtë familje hyn një pagë mujore, me ligj nuk iu takon asistenca sociale.

Me këto të ardhura, thotë kryefamiljarja, nuk kanë arritur që të përgatiten për sezonin e dimrit kur temperaturat fillojnë të ulen.

Përveç të ftohtit, kryefamiljarët hallin më të madh e kanë edhe me shkollimin e fëmijëve.

Diellza, Florenti, Dafina, Deniza, Eliza, Zeqa janë gjashtë fëmijët e kësaj familjeje, të cilët ndjekin procesin mësimor, derisa dy fëmijë, me të mbaruar shkollën fillore, e kanë ndërprerë mësimin, për shkak të pamundësisë për t’u shkolluar.

“Fëmijët nuk kanë as ku t’i bëjnë detyrat. Sikur ta kishin një hapësirë ku do të mund të mësonin. Këta që shkojnë në shkollë, duhet të presin derisa të flenë fëmijët e vegjël, që të punojnë rreth detyrave. Mbesin deri vonë pas mesnate, pastaj po e kanë vështirë të zgjohen në mëngjes”, tregon Bahria.

Edhe, Diellza 15-vjeçare, e cila ndjek mësimet në shkollën fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, tregon se nuk arrin të përgatitet mirë në mësime.

“Unë jam në klasën e tetë, jam nxënëse e mirë, jo shembullore, por mësoj mirë, më së shumti më mungon një vend kur mund t’i bëj detyrat. Disa nga motrat dhe vëllezërit e mi janë të vegjël dhe shumë më pengojnë derisa bëj detyra”, shprehet ajo.

Kosova, për vite me radhë është duke u ballafaquar me nivel të lartë të varfërisë.

Sipas të dhënave të fundit, shkalla e varfërisë së përgjithshme në Kosovë është 29.7 për qind, derisa varfëria ekstreme, rreth 10.2 për qind.

Qeveria dhe Presidenca e Kosovës ishin zotuar se në vitin 2015 do të përmbushnin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë, e ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë.

XS
SM
MD
LG