Ndërlidhjet

Trembëdhjetë fëmijët e rrezikuar nga dimri


Frika e familjes Mustafa nga ftohtit...
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:17 0:00

Frika nga ftohtit e familjes Mustafa...

Jo shumë larg nga qendra e Prishtinës, një rrugë e ngushtë e shtruar me kalldrëm, çon te një shtëpi e vjetër, thuajse e rrënuar, në të cilën jeton familja prej 16 anëtarësh, Mustafa.

Trembëdhjetë fëmijë, kryesisht këmbëzbathur, më i vogli 9 muajsh, kurse më e madhja 19 vjeç.

Shtëpia ishte e ftohtë, e lagësht dhe shiu që binte, kishte depërtuar edhe në dhomën ku ata bënin gjumin.

Nëna e tyre, Bahria, fillon rrëfimin e saj duke treguar se si po mundohen të mbijetojnë. Hallin më të madh e kishte dimrin...

“Në këtë shtëpi gati të rrënuar jetojmë gjashtëmbëdhjetë anëtarë të familjes, unë burri, vjehrra dhe trembëdhjetë fëmijët. Kushtet, në të cilat jetojmë janë të mjerueshme. Paga prej 150 eurosh në muaj që merr burri është e pamjaftueshëm për të mbuluar shpenzimet që kemi ne si familje”, shprehet ajo, derisa në duar po mbante fëmijën e saj më të voglin nëntëmuajsh.

Bahria, e cila ishte drejtuar në dyert e gati të gjitha institucioneve të Kosovës, deri më tani nuk kishte gjetur mbështetje të duhur. Duke qenë se në këtë familje hyn një pagë, anëtarët e saj nuk kanë mundësi të marrin asistencë sociale.

Zonja Bahrie thotë se nevoja më e madhe për ta është një shtëpi.

“Një shtëpi ku do të mund ta kaloj dimrin dhe fëmijët e mi të mos kenë të ftohtë, pasi që dimri i kaluar ma mori një fëmijë”, janë fjalët e Bahries, derisa kujtonte dimrin e kaluar kur djali 13 muajsh i kishte vdekur.

“E kemi pasur edhe një fëmijë, ka qenë me epilepsi të pashëruar. E fitoi këtë sëmundje nga të ftohtit, pati temperaturë të lartë deri sa ne arritëm ta dërgojmë në spital, ai u ngri i tëri, pas tre muajve iu shfaq një sëmundje dhe me të mbushur një vit vdiq. Nuk kemi pasur kushte t’i dalim në ndihmë, terapia ka qenë e shtrenjtë”, tregon Bahria.

Në një skaj të dhomës, vajza e madhe e familjes Mustafa, Gentiana, e cila ka kryer vetëm shkollimin fillor, mbante një fletore, në të cilën kishte shkruar poezitë e saj.

“Unë shkruaj poezi, por tani këtë talent që e kam në të shkruar, nuk mund ta zhvilloj për shkak se unë nuk shkoj më në shkollë, kushtet e vështira ekonomike kanë bërë që unë ta ndërpres shkollimin”, thotë Gentiana, derisa shfletonte një fletore të vjetruar ku kishte shkruar qindra poezi nga më të ndryshmet.

Për shkak të pamundësisë për t’i blerë materialet shkollore, shkollimin e mesëm e kanë ndërprerë edhe dy fëmijët tjerë të kësaj familjeje.

Kryefamiljari Bajram Mustafa pamundësinë për t’i shkolluar fëmijët thotë ta ketë përjetuar shumë rëndë.

Për jetën, në të cilën jeton nuk di çka të thotë më shumë, vetëm se nuk e di si është të jetosh mirë.

“Ai që është në kushte të vështira, nuk di të tregojë asgjë, nuk di... Të kishim përjetuar diçka mirë, kishim ditur, kështu nuk di të tregoj asgjë, prej të këqijave në të këqija nuk ka ndonjë rezultat, e kur nga të këqijat del në të mira, atëherë di të tregosh diçka. Por, me rëndësi shëndeti”, janë fjalët e vetme të kryefamiljarit Bajram Mustafa.
XS
SM
MD
LG