Ndërlidhjet

Opozita: Tërheqje të nënshkrimeve ose dorëheqje të Qeverisë


Kuvendi i Kosovës, 23 tetor 2015
Kuvendi i Kosovës, 23 tetor 2015

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kërkuan dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Ndërkohë që vazhduan të kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa dhe Qeverisë së Kosovës.

Shefat e grupeve parlamentare të këtyre subjekteve politike, përmes një konference të përbashkët, thanë se janë të vendosur të vazhdojnë kundërshtimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Ne, si opozitë, të vetëdijshëm se ju e përmbysët Kuvendin dhe se Qeveria është jo legjitime, do të vazhdojmë të rezistojmë deri në tërheqjen e vendimeve të dëmshme. Tërheqje ose Dorëheqje”, thuhet në kërkesën e tri partive opozitare.

Duke i komentuar zhvillimet dramatike në seancën e fundit, shefja e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, tha se mbajtja e seancës në një sallë tjetër, pa opozitën, ishte jolegjitime dhe në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit.

Sipas saj, partitë në pushtet, atë ditë ” kanë ikur si minjtë në një vrimë”.

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të partisë Nisma, Haxhi Shala, e krahasoi fjalorin e përdorur nga kryeparlamentari Veseli me fyerjen që çoi deri te shkarkimi të ish-ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq, që u kishte bërë nënave gjakovare. Andaj, sipas tij, Veseli do të duhej të jepte dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit, pas fyerjes që ia bëri deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Ndërkohë, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, u përqendrua në praninë e sigurimit në sallën e Kuvendit. Sipas tij, kjo prani ka shtuar tensionet ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Konjufca më pas fajësoi me emra të gjithë atë, të cilët, sipas bindjeve të tij, janë përgjegjës për situatën e krijuar, duke veçuar kryeministrin Isa Mustafën, kryeparlamentarin Kadri Veseli, nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e partive të koalicionit e deri te ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Të tri partitë në opozitë, kanë ritheksuar se do të vazhdojnë të bllokojnë punën e Kuvendit të Kosovës, përderisa, siç po pretendojnë ato, kryeministri Isa Mustafa të mos i tërheq nënshkrimet nga Marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit. Në të kundërtën, opozita i kërkon dorëheqjen Mustafës dhe gjithë Qeverisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG