Ndërlidhjet

Lufthansa, Air France shmangin fluturimet mbi Sinai


Vendi ku është rrëzuar avioni rus. Sinai, Egjipt, 31 tetor 2015.
Vendi ku është rrëzuar avioni rus. Sinai, Egjipt, 31 tetor 2015.

Dy nga linjat më të mëdha ajrore në Evropë kanë vendosur të shmangin fluturimet mbi Gadishullin Sinai të Egjiptit, derisa të qartësohet se çfarë ka shkaktuar rrëzimin e avionit rus të pasagjerëve, të shtunën në këtë zonë.

Lufthansa e Gjermanisë dhe Air France e Francës kanë vendosur të shmangin fluturimet në zonë për arsye të sigursië, kanë thënë përfaqësuesit e tyre.

“Kemi marrë vendim që të shmangim zonën sepse situata dhe arsyet e rrëzimit (të avionit rus) nuk janë të qarta”, ka thënë një zëdhënëse e Lufthansës.

Sipas saj, Lufthansa ka më pak se dhjetë fluturime në ditë që kalojnë nëpër zonën në fjalë.

“Air France konfirmon se shmang fluturimet mbi zonën e Sinait si masë paraprake”, ka thënë një zëdhënëse e kompanisë franceze.

Avioni rus i pasagjerëve është rrëzuar të shtunën me 224 njerëz në bord.

Është konfirmuar se të gjithë pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit kanë humbur jetën.

Një grup militant, i lidhur me grupin ekstremist të Shtetit Islamik, ka thënë se ka rrëzuar aeroplanin.

Pretendimet e tilla janë hedhur poshtë nga autoritetet ruse, të cilat kanë thënë se nuk dihen ende shkaqet e aksidentit.

XS
SM
MD
LG