Ndërlidhjet

Pesëmbëdhjetë vjet në gjithësi


Stacioni Ndërkombëtar i Gjithësisë mbrëmë e ka shënuar 15 vjetorin e qëndrimit të astronautëve rreth hapësirës së Tokës, që paraqet zhvillim të ri madhor për këtë laborator në orbitë, për të cilin disa thonë se e meriton Çmimin Nobel për Paqe.

Derisa operacionet priten të zgjasin edhe një dekadë, agjencitë botërore të gjithësisë tash po i shikojnë mundësitë që ky stacion të ndihmoj në krijimin e kushteve që pionierët e gjithësisë tu rezistojnë kushteve të vështira, gjatë ndërmarrjeve për vizita në Mars dhe hapësirat e tjera në Sistemin Diellor.

“Ne bëjmë shumë eksperimente këtu, por mendoj se eksperimenti më i rëndësishëm është stacioni i gjithësisë si një makinë orbitale, që i mban gjallë njerëzit në hapësirë për një kohë të gjatë”, tha Scott Kelly, astronaut i agjencisë amerikane të gjithsësisë, NASA, gjatë një konference direkte me gazetarë.

Së bashku me kozmonautin rus, Mikhail Kornienko, amerikani Kelly po e kalon tash e një vit në këtë stacion, në mënyrë që shkencëtarët t’i studiojnë efektet e qëndrimit afatgjatë në gjithësi në trup dhe mendje.

Prej 2 nëntorit të vitit 2000, në këtë stacion kanë qëndruar 220 astronautë nga 17 vende.

Shtetet e Bashkuara janë në pozitën e vendit udhëheqës pasi gjatë gjithë kohës kanë organizuar fluturime kozmike për dërgimin e pjesëve rezervë dhe furnizimeve në stacion, Rusia radhitet e dyta, ndërsa Kanadaja dhe Japonia janë në pozitën e tretë.

Gjatë këtyre 15 viteve, së paku një astronaut amerikan dhe një rus kanë qenë brenda në stacion, pas zbutjes së marrëdhënieve të periudhës së Luftës së Ftohtë dhe megjithë tensionet aktuale në raportet Shtetet e Bashkuara – Rusia.

Ky rekord ka ndikuar që të shtohen sugjerimet që Stacioni Ndërkombëtar i Gjithësisë të nominohet për Çmimin Nobel për Paqe.

“Partneriteti ndërkombëtar që e ndërtoi dhe e mirëmbanë stacionin është rast i shkëlqyeshëm, se çka mund të arrijë njerëzimi kur ne të punojmë së bashku në paqe”, tha John Holdren, drejtor i Zyrës për shkencë dhe teknologji të Shtëpisë së Bardhë në Uashington.

Në të kaluarën, administratori i NASA-s, Charles Bolden, ka thënë se ky projekt e meriton Çmimin Nobel për Paqe.

I pyetur për 15 vjetorin e Stacionit Ndërkombëtar të Gjithsësisë, kozmonauti rus, Oleg Kononenko, tha se Boldeni ka “100% të drejtë”.

“Njerëzit në Tokë ndonjëherë dështojnë ta dëgjojnë njëri-tjetrin, ta shohin njëri-tjetrin. Këtu në hapësirë kjo është e pamundshme”, tha Kononenko me anë të përkthyesit.

Duke pasur parasysh se Marsi është caku i ardhshëm, astronautët në këtë stacion po eksperimentojnë se si ta ushqejnë vetveten, si ta ruajnë shëndetin mental dhe t’i rezistojnë rrezatimit të dëmshëm për një kohë të gjatë.

“Stacioni i Gjithësisë është me të vërtetë një urë”, tha astronuati amerikan, Kjell Lindgren, dhe ka shtuar se “është test për teknologjitë që ne duhet t’i zhvillojmë dhe t’i kuptojmë për të pasur udhëtim të suksesshëm në Mars”.

Në fillim, në Stacionin Ndërkombëtar të Gjithësisë, ishin vetëm tri module, ndërsa më vonë janë shtuar seksione të mëdha që kanë kushtuar 100 miliardë dollarë, kështu që tash një hapësirë e madhësisë së stadiumit futbollistik mundëson më tepër hapësirë për jetë në shtëpinë me 6 dhoma.

Duke udhëtuar në një lartësi prej afro 250 milash me shpejtësi prej 17, 500 mila në orë, Stacioni Ndërkombëtar i Gjithësisë qarkullon rreth Tokës për çdo 90 minuta.

Gjashtë anëtarët e ekuipazhit gjatë këtij udhëtimi ushqehen, flejnë dhe fluturojnë në ambientin me mikrogravitet.

Ata punojnë 35 orë në javë në projektet shkencore gjatë misionit të tyre në stacion, që zakonisht zgjasin 6 muaj.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG