Ndërlidhjet

Asnjë marrëveshje për krizën politike në Maqedoni


Gjasat për arritjen e marrëveshjes mes partive politike për çështjet kontestuese janë gjithnjë e më të vogla, përkundër apeleve që kjo të bëhet para publikimit të raportit të progresit, që Maqedonia të mos rrezikojë humbjen e rekomandimit për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Partitë kryesore, LSDM-ja opozitare dhe VMRO-ja e kryeministrit, Nikolla Gruevski mbeten në qëndrimet e tyre sa i përket dy pikave kryesore të marrëveshjes politike, kompetencat e ministrave dhe zëvendësve të tyre në qeverinë kalimtare dhe për propozim-ligjin që parasheh ndalimin e publikimit të materialeve nga afera e përgjigjimeve.

Opozita kërkon që ministrat që do t'i takojnë asaj në qeverinë kalimtare të kenë kompetenca të plota, por kjo kundërshtohet nga VMRO-ja, e cila kërkon që roli i tyre të jetë vetëm se teknik ndërsa zëvendës-ministrat të kenë të drejtën e vetos ndaj çdo vendimi të ministrit.

Por, opozita pajtohet që vetoja të mund të përdoret vetëm ndaj vendimeve që kanë të bëjnë me zgjedhjet.

Duke u nisur nga pozicionet e tilla, nga opozita nuk presin që marrëveshja të arritet para publikimit të raportit të progresit, siç ishte njoftuar ditë më parë në media.

Njohësit e çështjeve politike thonë se vonesat në zbatimin e pikave të marrëveshjes më së shumti u konvenojnë partive në pushtet, të cilat me taktizime të tilla pamundësojnë hapjen e çështjeve tjera.

Zdravko Savevski, analist dhe profesor në Universitetin Fon të Shkupit, thotë se mosarritja e marrëveshjes apo hezitimi për të zbatuar pikat e asaj për të cilat janë marrë vesh partitë, ka të bëjë ndoshta me frikën e pushtetit për t'u përballur me realitetin, qoftë zgjedhor, apo edhe me hetimin e çështjeve që shkaktuan krizën, duke aluduar këtu në atë që njihet si aferë e përgjigmeve.

“Për momentin preokupim kryesor për pushtetin paraqesin kompetencat e zëvendës ministrit të punëve të brendshme dhe të prokurores speciale. Këto dy çështje tregojnë se pushteti më shumë është i interesuar për taktizimet që mund të bëhen lidhur me drejtësinë dhe rregullin e zgjedhjeve, kjo në veçanti mund të shihet nga këndvështrimi i kryeministrit, Nikolla Gruevski".

"Nëse arrihet marrëveshje për këto dy pika, atëherë mund të ngriten edhe çështje tjera më të rëndësishme apo të kërkohen interpretime për çështje tjera. E gjithë kjo për të zvarritur zbatimin e marrëveshjes“, thotë Savevski.

Nga ana tjetër, ekspertët juirdikë thonë se zvarrtitja e marrëveshjes ka të bëjë para se gjithash me aferën e përgjimeve dhe bllokimin e punës së prokurores speciale për të nisur me hetimin e kryeministrit, Gruevski dhe bashkëpunëtorëvë të tij më të ngushtë, të cilët, sipas opozitës, “janë protagonistët kryesorë të veprimeve të ndryshme kriminale që janë bërë në punën e tyre“.

“Se kjo është evidente flet edhe fakti se parashikohen iniciativa konkrete para gjykatës kushtetuese me të cilën kontestohet kushtetueshmëria e ligjit për prokurorinë speciale. Madje, në këtë iniciativë është i kyçur është edhe vetë prokurori shtetëror që është një non-sens për një organ juridik të rëndësishëm, i cili edhe vetë është i përfshirë në përgjimet politike“, thotë Osman Kadriu, profesor i së drejtës kushtetuese.

Ndryshe, dështimi i bisedimeve, apo mosarritja e marrëveshjes para publikimit të Raportit të Progresit, sipas paralajmërimeve të shumta, mund të çojë në humbjen e rekomandimit. Madje ndërmjetësi në bisedime, diplomati belg, Piter Vanhoutte ka paralajmëruar edhe masa të ngjajshme me atë që njihet si "skenari bjellorus", futjen në listë të zezë të politikanëve që pengojnë zbatimin e marrëveshjes, si dhe bllokimin e llogarive të tyre bankare.

Nga zbatimi i marrëveshjes varet mbajtja e zgjedhjeve të parakoshme paralamentare për 24 prill të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG