Ndërlidhjet

Rekomandim i kushtëzuar i BE-së për Maqedoninë


Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Orav Avio, foto arkivi
Ambasadori i BE-së në Maqedoni, Orav Avio, foto arkivi

Maqedonia sot ka fituar rekomandimin e shtatë me radhë nga Komisioni Evropian, për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane, por kësaj radhe rekomandimi vjen i kushtëzuar me zbatimin e plotë të Marrëveshjes së nënshkruar mes katër partive politike në qershor dhe korrik të këtij viti.

"Ne do ta rishikojmë këtë vendim pas zgjedhjeve në prill”, ka deklaruar para përfaqësuesve të Komitetit për punë të jashme të Parlamentit Evropian, Komisoneri për Zgjerim, Johannes Hahn.

Në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, në pjesën që ka të bëjë me Maqedoninë, janë fokusuar më shumë vërejtje, siç është ndërhyrja e politikës në sistemin gjyqësor, mungesa e lirisë së shprehjes, problemi me korrupsionin dhe organizimi i zgjedhjeve në frymë demokratike.

Në raportin 80 faqesh, nënvizohet se të pushteti duhet të demonstrojë vullnet politik, duke i mundësuar prokurores speciale pa pengesa të kryej punën e saj, në hetimin e aferës së përgjimeve dhe përmbajtjes së bisedave të përgjuara.

Në raport gjithashtu janë përmendur edhe ngjarjet e Kumanovës më 9 dhe 10 maj, me ç`rast kërkohet që zhvillimet në Kumanovë të hetohen në mënyrë të plotë.

“Pas një operacioni policor në një lagje të banuar me shqiptarë në Kumanovë, ku humbën jetën 18 persona, të gjithë liderët politikë në vend kërkuan ri-vendosje të qetësisë dhe nënvizuan se ky incident nuk duhet të shihet si incident ndëretnik. Ngjarjet e Kumanovës ende kanë nevojë për hetim të plotë”, theksohet në raportin e progresit për Maqedoninë.

Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes një komunikate me shkrim për mediat ka theksuar se mirëpret Raportin e Progresit për Republikën e Maqedonisë për vitin 2015, si një dokument jashtëzakonisht të rëndësishëm në procesin e integrimeve, ngritjes së vlerave demokratike dhe përparimin e vendit.

Për partinë maqedonase në opozitë, Lidhjen Social Demokrate të Maqedonisë, rekomandimi i kushtëzuar për Maqedoninë paraqet sinjal të qartë se Brukseli përfundimisht më nuk i beson kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Përderisa për shefin e diplomacisë maqedonase, Nikolla Popovski, ruajtja e rekomandimit është me rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit.

XS
SM
MD
LG