Ndërlidhjet

Kontrolli i pushtetit, sfidë e opozitës


Shkup
Shkup

Përfshirja e opozitës së majtë në qeverinë e tanishme me dy ministra dhe tre poste të zëvendësministrave të Maqedonisë, ka për qëllim krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe demokratike, më 24 prill të vitit të ardhshëm, ashtu siç parashihet me marrëveshjen mes partive politike të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qeveria kalimtare, siç do të quhet ekzekutivi i ri deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, pritet të rrumbullakohet deri më 15 janar, por paraprakisht duhet të jap dorëheqje kryeministri aktual, Nikolla Gruevski, për t'i lëshuar vendin një kuadri të partisë së tij të djathë, VMRO DPMNE.

Por, pyetja që parashtrohet në opinion këtë bëjë me atë se sa dy ministrat LSDM-së, Oliver Spasovski, i punëve të brendshme dhe Frosina Remeski e punës dhe politikës sociale, por edhe zëvendësministrat e tjerë, do të arrijnë të kontrollojnë punën e pushtetit, që është edhe një nga detyrat e caktuara për përgatitjen e terrenit për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Kryeministri, Nikolla Gruevski ka thënë se “do të mbikëqyrë në detaje punën e tyre” ndërsa kreu i opozitës, Zoran Zaev ka thënë se “kontrolli i punës së pushtetit do të jetë i rreptë pasi ata kanë si detyrim kthimin e lirisë qytetarëve të Maqedonisë’.

Njohësit e çështjeve politike kanë qëndrime të ndara nëse qeveria e zgjeruar do të arrijë qëllimin për rikthimin e demokracisë në vend, siç pretendon opozita apo zbardhjes e së vërtetës nga ndërhyrje e shërbimeve të jashtme, siç akuzon kryeministri Gruevski.

“Kësaj radhe pres se përbërja e re e qeverisë, në veçanti ministrat dhe zëvendësministrat e propozuar nga opozita do të jenë garant se vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike".

"Rruga deri tek ky synim është ende larg, por është mirë se ajo po lëviz në atë drejtim. Ndoshta vullnet politik nuk ka nga të gjitha palët, po pres që me kalimin e kohës dhe me mekanizmat dhe rregullat që po vendosen do ta çojnë vendin drejt një procesi zgjedhor të lirë dhe demokratik”, thotë Nikolla Dujoski, njohës i sistemit politik dhe profesor në Universitetin e Shkupit.

Por, ndryshe nga Dujoski vlerëson Mersel Bilalli, njohës i çështjeve politike dhe ish deputet në disa përbërje parlamentare.

“Kjo është një martesë e imponuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe roli i saj do të jetë pak a shumë kontrolli në aspekt të keqpërdorimit të shumë segmenteve të pushtetit dhe fondeve të ndryshme publike. Megjithatë, nuk jam shumë i bindur se kjo do të rezultojë me ndonjë sukses spektakular. Unë mendoj se organizimi do të duhet të vazhdoj në segmentin qytetar, me intelektual dhe organizata joqeveritare”, thotë Bilalli

Ai thotë se në procesin e zgjidhjes përfundimtare të krizës që sipas tij duhet të rrumbullakohet me ndryshimin e pushtetit duhet të kyçen më shumë faktorë

“Unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare është e vendosur që ti jep fund këtij krimi të organizuar dhe kjo nënkupton se aktorët kryesor duhet të shkojnë nga skena politike, por nuk jam i bindur se kjo mund të ndodhë shumë lehtë pasi opinion këtu është pak si shumë specifik".

"Pra, gjithçka shkon në drejtim të tensioneve dhe nuk jam shumë optimist se kjo mund të arrihet nëse pa ndonjë mobilizim të mirëfilltë qytetar, pa marrë parasysh se çfarë do të bëjnë partitë politike”, thekson analisti Bilalli.

Ndryshe, kriza politike në vend bëri që Maqedonia të merr një rekomandim të kushtëzuar në raportin e progresit të Komisionit Evropian.

Bisedimet për anëtarësim nuk do të nisin pas zbatimin e marrëveshjes por edhe të kritereve tjera tashmë të vendosura nga Bashkimi Evropian.

XS
SM
MD
LG