Ndërlidhjet

Malala: Keni kujdes se çfarë flisni!


Malala
Malala

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, pakistanezja Malala Yousafzai, paralajmëroi politikanët të cilët kritikojnë të gjithë myslimanët, se rrezikojnë të inkurajojnë më shumë sulme ekstremiste.

Duke folur në Angli pas një ceremonie të mbajtur në njëvjetorin e vrasjes së 122 nxënësve nga talibanët në Peshawar të Pakistanit, Malala e kritikoi propozimin e kandidatit për president nga radhët e republikanëve në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, që të ndalohet hyrja e myslimanëve në SHBA.

“Është me të vërtetë tragjike të dëgjosh këto komente, të cilat janë të mbushura me urrejtje - ideologji e plotë diskriminuese ndaj të tjerëve”, tha ajo për agjencinë franceze të lajmeve, AFP.

Në një intervistë tjetër ndërkaq, dhënë televizionit Channel 4, ajo tha se “sa më shumë që flitet për Islamin dhe kundër të gjithë myslimanëve, më shumë terroristë do të krijohen”.

“Pra është e rëndësishme çfarëdo që thonë politikanët, çfarëdo që thonë mediat, duhet të jenë shumë, shumë të kujdeshshëm rreth kësaj çështjeje”.

“Nëse qëllimi juaj është ta ndalni terrorizmin, mos u mundoni ta fajësoni gjithë popullësinë myslimane, ngase kjo nuk mund ta ndalojë terrorizmin. Kjo do të radikalizojë më shumë terroristë”.

“Nëse duam t'i japim fund terrorizmit, ne kemi nevojë që të ofrojmë arsim cilësor në mënyrë që ta mposhtim mentalitetin e terrorizmit dhe të urrejtjes”, tha ajo.

Malala, 18 vjeçare, i është nënshtruar një operacioni të gjerë dhe është shëruar në Angli. Ajo ishte qëlluar nga persona të armatosur talibanë, teksa kishte hipur në autobusin e shkollës në luginën Swat të Pakistanit, në 2012-tën.

Për heroizimin e treguar dhe për sensibilizimin e botës për edukimin e vajzave anembanë, vitin e kaluar, Malala Yousafzai, e ka fituar Çmimin Nobel për Paqe.

Babai i Malalas, Ziauddin Yousafzai, gjithashthu foli sot dhe u shpreh kundër deklaratave që fajësojnë të gjithë myslimanët.

Deklaratat për t’i ndaluar myslimanët në SHBA nga kandidati Trump, janë bërë pas një sulmi nga ekstremistët në San Bernardino në Kaliforni në fillim të këtij muaji, ku kanë mbetur të vdekur 14 persona

“Është shumë jokorrekte, shumë e padrjetë që ne të bëjmë lidhjen mes vetëm disa organizatave terroriste me 1.6 miliardë njerëz”, tha ai, duke e përmendur numrin e përgjithshëm të myslimanëve në mbarë botën. (s.bajrami)

XS
SM
MD
LG