Ndërlidhjet

Gruevski nuk i respekton afatet për t’u dorëhequr


Kryeministri Nikola Gruevski
Kryeministri Nikola Gruevski

Zgjidhja e krizës politike në Maqedoni, ende është larg afateve të përcaktuara me marrëveshjen ndërmjet partive politike.

Kryeministri Nikolla Gruevski nuk do të dorëhiqet këtë muaj, ashtu siç ishte paraparë me marrëveshje.

Dorëheqja e tij do të ndodhë më së voni deri më 10 janar, ndërsa qeveria e re kalimtare do të inaugurohet më 15 janar, apo 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që duhet të mbahen më 24 prill të vitit të ardhshëm.

Por, nga opozita kanë bërë të ditur se zgjedhje nuk mund të ketë pa përmbushjen e të gjithë kritereve të marrëveshjes politike.

Ndërkohë, menjëherë pas festave të Vitit të Ri, në Maqedoni pritet të arrijë komisionari për Zgjerim i BE-së, Johanes Hahn, për të inspektuar realizimin e marrëveshjes.

Kryeministri Gruevski thotë se mirëpret vizitën e diplomatit të lartë evropian.

“Ashtu edhe siç jemi marrë vesh, më 15 janar do të formohet Qeveria e re dhe ne këtë do ta respektojmë. Ndërsa, sa i përket vizitës së komisionarit Johanes Hanh, ai është i mirëseardhur dhe vizitat e tij çdo herë janë të dobishme“, deklaron Gruevski, pa dhënë hollësi tjera mbi qeverinë e re, apo personin që do të zëvendësojë atë në postin e kryeministrit.

Njohësit e çështjeve politike thonë se zvarritja e dorëheqjes së kryeministrit është pritur, ashtu siç janë shkelur të gjitha afatet e zbatimit të marrëveshjes politike.

Analistët nuk përjashtojnë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve, duke marrë parasysh vlerësimet diametralisht të kundërta ndërmjet partive lidhur me realizimin e pikave të marrëveshjes.

“Besoj se ai do ta inkurajojë kryeministrin që të veprojë në përputhje me marrëveshjen politike që të japë dorëheqje dhe deri më 15 janar të zgjidhet kryeministri teknik. Por, nëse vlerësohet se zbatimi i parakushteve për zgjedhje fer dhe demokratike, ashtu siç kërkohen, nuk është përmbushur, gjithsesi se mund të ketë edhe shtyrje të zgjedhjeve“, thotë analisti Albert Musliu.

Ai vlerëson se ngecjet kryesore kanë të bëjnë me punën e prokurores speciale, e cila po has në vështirësi të shumta në hetimin e aferës së përgjimeve që edhe ka shkaktuar krizën politike, pastaj reforma në Komisionin Shtetëror Zgjedhor, në pastrimin e listëve së votuesve, miratimi i rregullativës ligjore për mediat, reformat në shërbimin policor, e çështje tjera.

Musliu thotë se për realizimin e këtyre obligimeve ka kohë, por jo edhe vullnet politik.

“Sipas meje, ka kohë nëse për këtë ekziston një përkushtim absolut nga të gjitha palët, në veçanti nga VMRO DPMNE-ja, pasi ajo kontrollon shumicën e institucioneve. Në qoftë se ai përkushtim e zbatohet, mendoj se zgjedhjet mund të mbahen edhe më 24 prill, por fatkeqësisht përvoja na mëson se një përkushtim i tillë jo që nuk ekziston, por kemi veprime të kundërta, obstruksione apo ngadalësim të proceseve“, vlerëson Musliu.

Por, partitë, në vend se të përkushtohen për zbatimin e pikave të marrëveshjes, ato kohëve të fundit kanë publikuar edhe afera tjera, siç është edhe ajo me letërnjoftimet false.

Kriza politike në Maqedoni ka nisur që nga shkurti i këtij viti, kur opozita nisi me publikimin e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve, që, sipas saj, janë përfshirë në krime të rënda. Por, akuzat e tilla janë hedhur poshtë nga qeveria, e cila ka akuzuar opozitën për tentim destabilizimi të vendit.

Rasti i aferës së përgjimeve po hetohet nga një prokurori speciale, ashtu siç janë marrë vesh partitë me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, të kryesuar nga komisionari Johanes Hanh.

XS
SM
MD
LG