Ndërlidhjet

Familje të varfra e pa asistencë sociale


Ilustrim
Ilustrim

Ligji për skemat sociale në Kosovë përjashton nga asistenca sociale shumë familje, të cilat jetojnë në kushte të rënda ekonomike dhe sociale. Sipas një neni të këtij ligji, nëse në një familje hyn një pagë, anëtarëve të asaj familjeje nuk iu takon asistenca sociale.

Njëra nga familjet në Kosovë, e cila jeton në kushte të rënda ekonomike dhe sociale dhe së cilës nuk i ka takuar mbështetje shtetërore është familja Mustafa me shtatëmbëdhjetë anëtarë, prej tyre 14 fëmijë.

Në këtë familje është i punësuar kryefamiljari, Bajram Mustafa, cili merr një pagë mujore prej 250 eurosh. Kjo pagë i ka pamundësuar kësaj familjeje të marrë asistencën sociale.

Radio Evropa e Lirë kishte raportuar për gjendjen e kësaj familjeje.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se janë në dijeni për rastet e tilla dhe se janë duke shqyrtuar mundësinë të bëjnë ndryshimin e kritereve të këtij ligji.

Me ndryshimin e kritereve, ka shtuar Abrashi, do të mundësohet asistenca sociale edhe për familjet e varfra dhe që kanë të punësuar.

“Gjatë vitit 2016, do të punojmë në kritere. Ne kemi pasur një diskutim fillestar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe ekziston një vullnet i përbashkët që ata të na ndihmojnë në bazë të përvojave të tyre, për ndryshimin e kritereve që targetojnë familjet me asistencë sociale”.

“Ne, gjatë fillimit të vitit, do ulemi me ta dhe do t’i shohim përvojat më të mira të vendeve tjera, që më pas të bëhen ndryshimet e ligjit”, ka theksuar ministri Abrashi.

Gjatë vitit 2015, Qeveria e Kosovës ka rritur për 25 për qind shumën e asistencës sociale për 25 mijë familje me mbi 100 mijë anëtarë.

Para këtij vendimi, asistenca sociale në Kosovë ka qenë nga 40 - deri 120 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve.

Ministri Abrashi ka treguar se gjatë vitit 2015, kanë arritur që ta kontrollojnë dhe ta menaxhojnë tërë skemën e asistencës sociale, ku pas këtij kontrolli, ka bërë të ditur Abrashi, është vërtetuar se ka pasur rrjedhje të parasë te shumë përfitues, të cilët nuk e kanë merituar këtë ndihmë.

Sidoqoftë, asistenca sociale, të cilën e ofrojnë institucionet e Kosovës për familjet në nevojë që nga viti 2003, është treguar e pamjaftueshme për shportën e një familjeje të kësaj kategorie.

Nga hulumtimet e bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, ishte theksuar se vlera e asistencës sociale për një muaj nuk përshtatet me nevojat e familjeve në bazë të madhësisë apo strukturës së tyre.

Po ashtu, ishte kërkuar që të rishikohet formula për llogaritjen e përfitimit për familje të ndryshme në bazë të madhësisë dhe strukturës së familjes, në mënyrë që asistenca sociale të jetë e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e shportës minimale të ushqimit.

Ndërkohë, rritja e asistencës sociale gjatë vitit2015 për 25 për qind, nga ekspertët e ekonomisë ishte vlerësuar, por që ishte thënë se nuk është e mjaftueshme.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, ka vlerësuar se pasi Kosova është një shtet i varfër, edhe rritja e shumë mjeteve për këto kategori është e nevojshme, por, sipas tij, varfëria nuk ulet me skema sociale, por me rritjen e mjeteve për investime në sektorin privat.

“Varfëria në një shtet nuk luftohet përmes skemave sociale, është sektori privat dhe krijimi i vendeve të reja të punës, ato të cilat krijojnë vende pune, dhe e luftojnë varfërinë në periudhë afatgjatë".

"Prandaj, unë mendoj se mënyra e vetme për të luftuar varfërinë në Kosovë, ashtu siç pretendon edhe buxheti i vitit 2016, është që të forcohet sektori privat, të krijohen vende pune dhe qytetarët, të cilët janë në skemat sociale, ngadalë të futen në tregun e punës”, ka deklaruar Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Qeveria dhe Presidenca e Kosovës ishin zotuar se në vitin 2015 do të përmbushnin Objektivat për Zhvillim të Mijëvjeçarit, që kanë për qëllim ta ulin dukshëm varfërinë, e ta rrisin nivelin e edukimit, barazinë gjinore dhe shëndetësinë.

XS
SM
MD
LG