Ndërlidhjet

Dhjetëra të vrarë nga sulmi në një universitet pakistanez


Në Pakistan, 21 të vrarë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:52 0:00

Dhjetëra të vrarë nga sulmi në një universitet pakistanez

Policia në Pakistan thotë se si rezultat i një sulmi të militantëve në një universitet në veriperëndim të Pakistanit, kanë mbetur të vdekur së paku njëzet persona, si dhe janë plagosur më shumë se pesëdhjetë të tjerë.

Gjashtë orë pasi të mërkurën ka nisur sulmi, shefi i policisë rajonale, Saeed Wazir, tha se operacioni kundër militantëve kishte përfunduar në universitetin Bacha Khan.

Policia ka njoftuar se katër sulmues janë vrarë gjithashtu, por nuk ka specifikuar nëse ky numër hyn në numrin e përgjithshëm të të vrarëve. Identiteti i militantëve nuk është bërë me dije.

Një fraksion i talibanëve pakistanezë, Tehrik-e-Taliban, e ka marrë përgjegjësinë për sulmin që ka ngjarë në Çersada, rreth 17 kilometra në verilindje të kryeqytetit të provincës Peshawar.

Por, një zëdhënës i talibanëve të Pakistanit, të njohuir si Tehrik-e-Taliban, më vonë e ka dënuar sulmin, duke e quajtur atë si “jo-islamik”.

Saeed Wazir tha se shumica e viktimave u qëlluan për vdekje në konviktin e djemve që gjendet në kampus.

Përmes një komunikate të lëshuar pasi që operacioni është shpallur i përfunduar, kryeministri pakistanez, Nawaz Sharif tha se qeveria e tij është “e përcaktuar dhe e vendosur, që me përgjegjësi ta zhdukë kërcënimin që vjen nga terrorizmi në atdheun tonë”.

Një zyrtar provincial, i pranishëm në vendin ku ka ngjarë sulmi, Shaukat Yousufzai, ka thënë se së paku pesëdhjetë persona të tjerë janë plagosur.

Të shtënat intensive të armëve dhe disa shpërthime janë dëgjuar gjatë sulmit, i cili ka filluar mëngjesin e së mërkurës. Militantët e kanë nisur sulmin teksa kanë hapur zjarr mbi arsimtarët dhe nxënësit që po mësonin për shkenca kompjuterike dhe menaxhment.

“Policia zakonisht vjen (në universitet) me automjetet e tyre në mëngjes për të ofruar siguri, dhe zakonisht rrinë në portën kryesore. Por, ata nuk i kam parë sot”, i ka thënë sot Radios Marshall, që është pjesë e Radios Evropa e Lirë në Pakistan, mësimdhënësi Abbas Ali.

“Ndoshta policia do të duhej të vinin më vonë”, ka shtuar ai.

Studentët të cilët kanë qenë të pranishëm në universitet në momentin kur ai është sulmuar, tregojnë për tmerrin e përjetuar.

“Kishte aq shumë panik dhe nga frika një mik i imi është hedhur nga objekti. Ndërtesa është shumë e lartë, por ai kërceu për shkak të frikës. Ne dëgjuam militantët duke thirrur ‘Allahu është i madh", ka thënë një student i universitetit, i pranishëm në vendin e ngjarjes.

Aizaz Khan, një tjetër student i mbijetuar, tregon se si kanë qëndruar në dhomat e konviktit, derisa kanë arritur organet e sigurisë.

“Ne i dëgjuam të shtënat që vinin nga pjesa e pasme e kampusit. Menduam se dikush po luftonte. Pastaj të shtënat u shtuan. Më pas ne thamë “të qëndrojmë në dhoma dhe mos të dalim jashtë”.

“Atëherë arritën forcat e sigurisë dhe treguan trimëri të madhe. Ushtarët e ushtrisë pakistaneze, gjithashtu treguan trimëri të madhe”, ka thënë Khan për agjencinë Reuters.

Një komandant i grupit Tehrik-e-Taliban, Umar Mansoor, tha se sulmi ishte përgjigje ndaj ofensivës ushtarake kundër militantëve në zonat fisnore të Pakistanit. Ai tha se katër sulmues vetëvrasës të grupit kanë marrë pjesë në këtë sulm.

Por një zëdhënës i Tehrik-e-Taliban, Muhammad Khorasani, e dënoi sulmin përmes një e-maili të dërguar në Radio Marshaal. Ai tha se grupi nuk i ka në cak civilët në shkolla.

Mansoor ishte organizatori i sulmit në një shkollë, ku në Peshawar, në dhjetor të vitit 2014, patën mbetur të vdekur 144 persona, shumica prej të cilëve fëmijë.

Universiteti Bacha Khan, i themeluar në vitin 2012, është emëruar sipas Khan Abdul Ghaffar Khan, lider i lëvizjes paqësore pashtune. Sulmi në universitet ka ngjarë në përvjetorin e 28-të të vdekjes së tij.

Në vitin 1930, Khan e kishte themeluar Lëvizjen Khudai Khidmatgar (Shërbëtorët e Perëndisë) me qëllim të reformimit të shoqërisë pashtu dhe për t’i mobilizuar ata që të luftojnë për të drejtat e tyre kundër sundimit të perandorisë britanike në nën kontinentin indian.

Fazli Rahim Marwat, një mësimdhënës i universitetit, i ka thënë Radios Marshaal, se rreth 3 mijë studentë janë të regjistruar në këtë universitet. Ai tha gjithashtu se në universitet janë të punësuar rreth 600 mësimdhënës dhe personel tjetër.

Dhuna vjen në kohën kur forcat e ushtrisë pakistaneze e kanë vazhduar fushatën kundër talibanëve në Pakistan dhe militantëve të tjerë në zonat fisnore.

Përgatiti: Selvije Bajrami
XS
SM
MD
LG