Ndërlidhjet

Maqedoni: Vendimi për shpërbërjen e Kuvendit, në Kushtetuese


Ilustrim (©Shutterstock)
Ilustrim (©Shutterstock)

Vendimi për shpërbërjen e Kuvendit të Maqedonisë është dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese nga deputeti Pavle Trajanov.

Ai pretendon se vendimi është antikushtetuese pasi Kuvendi vazhdon të punojë edhe pas vendimit për shpërndarje me çka, sipas tij, shkelen dispozitat kryesore të Kushtetutës.

“Shumica parlamentare miratoi vendimin për shkeljen e Kushtetutës, të shpërndajë Kuvendin, por vendimi të mos hyjë një fuqi menjëherë, por pas një kohe të caktuar".

"Ky vendim, jo vetëm që është i panjohur në historinë e punës së kuvendeve, por me të është shkelur në mënyrë të drejtpërdrejtë Kushtetuta, përkatësisht neni 63, pika 3 ku theksohet se zgjedhjet për deputetë në Kuvend mbahen në 90 ditët e fundit të mandatit ose në afat prej 60 ditëve nga dita e shpalljes së zgjedhjeve“, deklaron Trajanov, partia e të cilit, Lidhja Demokratike, deri para do kohe ishte në koalicion me partitë në pushtet.

Forma se si u miratua vendimi të hënën, për shpërndarjen e Kuvendit, ka shkaktuar debate edhe në mesin e ekspertëve nëse ai është ose jo në përputhje me Kushtetutën.

Mersim Maksuti, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tetovës, thotë se vendimi paraqet shkelje të aktit më të lartë juridik në vend.

“Vendimi i Kuvendit të Maqedonisë për shpërbërjen e tij, sipas mendimit tim, është një vendim antikushtetues për arsye se Kushtetuta është e qartë në këtë pjesë. Aty thuhet se Kuvendi i Maqedonisë në zgjedhje të rregullta parlamentare shpërbëhet 90 ditë para se t’i skadojë mandati, kurse kur kemi situatën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ai shpërbëhet 60 ditë para mbajtjes së tyre. Pra, ne tani kemi një situatë krejt ndryshe nga ajo që e parashikojnë dispozitat kushtetuese, Kuvendi u shpërbë një muaj para afatit“, thotë Maksuti.

Por, ndryshe nga ai, mendon ish-kryetari i Kuvendit, Stojan Andov. Ai thotë se ndoshta vendimi nuk paraqet shkelje të Kushtetutës, edhe pse deri më tani nuk janë parë raste të tilla që vendimi për shpërbërje të hyjë në fuqi më vonë nga data kur është miratuar.

Andov konsideron se në rrethanat e një krize të thellë në vend, gjithçka është e mundur që për vendet demokratike, do të ishte një precedent i paparë.

Bëhet fjalë për diçka që nuk është e njohur në praktikën e deritanishme. Ndoshta vendimi edhe nuk është kundërligjor pasi Kuvendi mund të miratojë edhe ndryshime dhe ligje tjera, që do të hynin në fuqi më vonë se sa miratimi i vendimit. Pra, vendimi mund të ndryshojë edhe pse si i tillë do të ishte i papërgjegjshëm. Në rrethana normale diçka e tillë nuk do të duhej të lejohet”.

“Në shtetet e zhvilluara demokratike, një vendim i tillë do të ishte precedent. Diçka e tillë nuk ka ndodhur deri më tani që të shpërndahet Kuvendi dhe vendimi të hyjë në fuqi më vonë dhe në anën tjetër të vazhdojë puna për miratimin e ligjeve. Është diçka e pakuptueshme, por në rrethanat e Maqedonisë me një krizë të thellë politike, pa rrugëdalje, gjithçka është e mundur“, thotë Andov.

Vendimi për shpërndarjen e Kuvendit dhe hyrja në fuqi e tij një muaj më vonë shihet si presion ndaj opozitës për të ndryshuar qëndrimin për bojkotin e zgjedhjeve të parapara, më 24 prill.

Hapësira prej një muaji për hyrjen në fuqi të vendimit, është lënë për vazhdimin e debatit për pikat kontestuese të marrëveshjes.

Në këtë kuadër, shihet edhe vizita e re e komisionarit për zgjerim të BE-së, Johanes Hahn, e paralajmëruar për 2 shkurt.

XS
SM
MD
LG