Ndërlidhjet

Kërkohen kushte më të mira për refugjatët në Maqedoni


Një refugjate në kufirin Maqedoni-Greqi, në Gjevgjeli
Një refugjate në kufirin Maqedoni-Greqi, në Gjevgjeli

Organizatat humanitare, që po veprojnë në qendrat pranuese të migrantëve në Maqedoni, kanë kërkuar që mjetet që Bashkimi Evropian i ka ndarë Maqedonisë në ballafaqimin me refugjatët, të destinohen në përmirësimin e kushteve në këto qendra.

Të hënën Brukseli ndau një program shtesë, në vlerë prej dhjetë milion eurosh, për ta ndihmuar Republikën e Maqedonisë që t’i përmirësojë sistemet e saj, sa i përket menaxhimit kufitar, si dhe menaxhimit të krizës me refugjatë.

Përderisa autoritet shtetërore të martën nuk kanë dashur të tregojnë se për çka saktësisht do të përdoren këto mjete, Kastriot Rexhepi, nga organizata humanitare “NUN Kultura”, thotë se një pjesë e këtyre mjeteve, krahas menaxhimit kufitar, duhet të destinohen edhe për sigurimin e ushqimit dhe veshmbathjeve për migrantët, të cilët kalojnë transit përmes Maqedonisë.

Sipas tij, këtë gjë deri më tani e kanë bërë organizatat humanitare, duke siguruar mjete nga donatorët privat.

“Sigurisht se ka nevojë për përmirësimin e kushteve në kampet ekzistuese. Por, këto mjete mund të shërbejnë për përgatitje të një skenari të mundshëm, nëse një numër më i madh i refugjatëve do të duhej të mbeteshin në Maqedoni.”

“Më duhet të theksoj se ideja për të ndaluar refugjatët, në cilindo vend qoftë, në Maqedoni apo vendet e tjera, është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, sepse shkelen të drejtat e njeriut, meqë ata kërkojnë të marrin azil në vendet përkatëse, dhe jo këtu”, thekson Rexhepi.

Javën e kaluar edhe shefi i diplomacisë maqedonase, Nikolla Poposki është shprehur se “Maqedonia nuk është e gatshme të ndërtojë kampe për strehimin e refugjatëve në periudhë afatgjatë”.

Nga Kryqi i Kuq në Maqedoni bëjnë të ditur se masat e reja për regjistrimin e refugjatëve, si dhe lëvizja e kontrolluar e migrantëve, ka krijuar telashe plotësuese për migrantët, duke ndarë anëtarët e familjeve gjatë udhëtimit të tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian, përkatësisht në Gjermani dhe Austri.

"Është një çështje që ka të bëjë me mënyrën se si migrantët hyjnë në Maqedoni. Shpesh herë ndodhë që familjet nga viset e prekura nga lufta, gjatë hyrjes së tyre në Maqedoni ,njëra pjesë arrin të hyjë në vend, kurse pjesa tjetër akoma mbetet nëanën tjetër të kufirit.”

“Në këtë rast, ne si Kryq i Kuq i Maqedonisë, me aktivitete të tjera, angazhohemi edhe në bashkimin e familjeve me ekipet tona në terren. Deri më tani nuk kemi regjistruar raste të fëmijëve të humbur, ose anëtarëve të familjes, por, kemi raste të ndarjeve të familjeve. Me aktivitetet tona si Kryq i Kuq i Maqedonisë arrijmë të bëjmë bashkimin e këtyre familjeve”, thekson Sait Saiti, kryetar i Kryqit të Kuq në Maqedoni.

Në Maqedoni, gjatë 24 orëve të fundit, kanë hyrë vetëm 543 migrantë. Organizatat humanitare, që veprojnë në Gjevgjeli,theksojnë se fluksi i ulët i migrantëve ka të bëjë me lëvizjen e kontrolluar, si dhe masat e reja për regjistrimin e migrantëve nga viset e prekura nga Lufta në Lindjen e Mesme, përkatësisht nga Siria, Iraku dhe Afganistani.

XS
SM
MD
LG