Ndërlidhjet

Partitë, në pritje të vlerësimit të ndërkombëtarëve për zgjedhjet


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Me kërkesë të partive politike në Maqedoni, përfaqësuesit ndërkombëtarë e kanë shtyrë për të dielën vlerësimin për realizimin e pikave të marrëveshjes politike dhe për atë nëse janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 24 prill.

Njoftimi është bërë nga zyra e Bashkimit Evropian në Shkup. Vlerësimi përfundimtar pritet të kumtohet nga ambasadorët e SHBA-së dhe të BE-së, Xhes Bejli dhe Aivo Orav.

Partitë, aktualisht, kanë ngecur në tri pikat kryesore të marrëveshjes politike të arritur vitin e kaluar, me ndërmjetësim ndërkombëtar, për çështjen e medieve, pastrimin e Listës zgjedhore dhe ndarjen e aktiviteteve partiake nga ato shtetërore.

Partitë politike në pushtet thonë se kushtet janë plotësuar dhe se zgjedhjet duhet të mbahen në afatin e paraparë me marrëveshje, ndërsa opozita vlerëson të kundërtën - se pa zbatimin e tri pikave të marrëveshjes, zgjedhje nuk mund të ketë më 24 prill.

Njohësit e çështjeve politike thonë se shtyrja për dy ditë e vlerësimit nga ndërkombëtarët bëhet për t'u dhënë edhe pak mundësi partive për arritjen e marrëveshjes, në të kundërtën ata presin vlerësim negativ mbi përmbushjen e obligimeve të marra dhe rrjedhimisht do të rekomandojnë shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

“Mendoj se shtyrja e zgjedhjeve është akt i kryer, vetëm se varet kur do të mbahen ato, pasi derisa të mos jenë zgjidhur problemet, për të cilat partitë janë marrë vesh me marrëveshjen politike, atëherë nuk shoh arsye pse të mbahen zgjedhjet. Mendoj se kjo është më se e dukshme“, thotë Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Mbajtja e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare, me rezultate të pranuara nga të gjitha palët, sipas Sinanit, është interes parësor i Maqedonisë dhe se në këtë drejtim është edhe angazhimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë.

“Ndërkombëtarët kanë një agjendë të qartë dhe një agjendë të tillë evropiane, e kanë edhe qytetarët e Maqedonisë. Kështu që vlerësoj se institucionet nuk kanë se ku të ikin. Do të ketë një zgjidhje, jam optimist, por do të duhet kohë".

"Faktori ndërkombëtar gradualisht do t’i zhveshë kërkesat dhe pakënaqësitë e dy palëve që t’i afrojë në një pikë të përbashkët për të nënshkruar një marrëveshje për të fituar lirinë e shprehjes të të gjithë atyre që jetojnë në Maqedoni“, thotë Sinani duke aluduar në bisedimet për reformat në medie, e që është një ndër pikat kryesore në ngecjen e bisedimeve pas asaj për pastrimin e Listës zgjedhore.

Edhe analisti Nikolla Dujoski, njëherësh profesor në Universitetin Fon të Shkupit, thotë se pikat kryesore të marrëveshjes politike nuk janë përmbushur, andaj, sipas tij, nuk mund të flitet se janë përmbushur kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Gjithçka që ishte nënshkruar në marrëveshjen e Përzhinës deri tash është realizuar shumë pak, për të mos thënë se fare nuk është realizuar. Sfidat e kësaj marrëveshjeje mbeten për t’u realizuar në të ardhmen. Derisa të mos ketë vullnet politik, që mendoj se nuk ka, nuk do të ketë as hapësirë që të ecin para në këtë drejtim – të zbatimit të marrëveshjes politike”, konsideron Dujoski.

Ndryshe, data e zgjedhjeve duhet të përcaktohet më së voni deri më 24 shkurt, pasi në këtë ditë hyn fuqi vendimi i shumicës parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit dhe zyrtarizimin e datës së zgjedhjeve më 24 prill.

XS
SM
MD
LG