Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

UNHCR: Maqedonia po kufizon hyrjen e migrantëve nga Siria


Gjendja në kufirin jugor me Greqinë paraqitet e qetë, ndërsa për dallim nga më parë nuk ka fluks të madh të migrantëve që presin për të hyrë në vend.

Por, përfaqësuesit e UNHCR-së, thonë se autoritetet maqedonase po aplikojnë kufizime për migrantët, apo selektimin e tyre në bazë të territorit nga vijnë.

Sipas tyre, përveç që nuk lejohen të hyjnë migrantët nga shtetet tjera, tani kufizimet vlejnë edhe për personat që vijnë nga territoret e Sirisë dhe Irakut, që besohet se janë nën kontrollin e autoriteteve.

“Çdo ditë po shohim kufizime gjatë hyrjes në Maqedoni. Tani na thonë se Maqedonia nuk lejon hyrjen e atyre personave që vijnë nga disa rajone të Sirisë, si nga Damasku, Tartus, Homs dhe zona tjera që janë nën kontrollin e qeverisë siriane dhe vlerësohen si të sigurta. Ngjashëm është edhe me disa rajone në Irak“, ka deklaruar zëdhënësi i UNHCR-së në Greqi, Babar Baloh.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk i konfirmojnë, por as nuk i përgënjeshtrojnë pretendimet e Komisariatit të Lartë për Refugjatë të OKB-së.

Në një prononcim me shkrim për Evropën e Lirë thonë se se Siria dhe Iraku llogariten si vende të pasigurta, por nëse ndonjë vend tjetër aplikon kufizime, atëherë edhe pala maqedonase do të jetë e detyruar të shqyrtoj pozicionin e saj, përfshirë edhe ndalesat për rajone të caktuara.

“Lidhur me këtë propozojmë që të merrni qëndrime edhe nga shtetet tjera pasi nga kriteret e tyre varen edhe kriteret që do të aplikohen në kufirin maqedono-grek. Për momentin në kufirin maqedono-serb janë të bllokuar rreth një mijë refugjatë, kryesisht nga Siria dhe Iraku, dhe ne nuk i dimë arsyet se pse nuk lejohen të transitojnë nëpër territorin e Serbisë“, thuhet në reagimin me shkrim të MPB-së.

Bllokimin e këtyre migrantëve e konfirmojnë edhe organizatat joqeveritare në terren.

Kastriot Rexhepi nga shoqata “Nun-Kultura“, thotë për Radion Evropa e Lirë thotë se migrantët kanë ngelur në zonën neutrale në kushte shumë të rënda.

“Prej dje gjendja paraqitet edhe më e rënduar për shkak se kampi në Tabanoc ka mbi 1 mijë persona, disa prej të cilëve më gjatë se 20 ditë. Dje nuk u lejuan të hyjnë në kamp grupi prej mbi 400 sirianëve që erdhën me tren nga Gjevgjelia në kufi me Greqinë nuk u lejuan të hyjnë në Serbi. Ata natën e kaluan në vijnë kufitare pasi siç thashë nuk u lejuan të kalojnë në Serbi, por as nuk u lejuan të kthehen mbrapa në kamp për shkak të kapacitetit të kufizuar, kështu që kushtet janë të vështira“, thotë Rexhepi.

Lidhur me krizën me migrantët sërish ka reaguar presidenti Gjorge Ivanov. Mediat kanë transmetuar një kolumnë të tij për gazetën britanike “Telegraph“ ku ai shpreh shqetësimin nga gjendja e krijuar në Maqedoni, por edhe më gjërë në Evropë.

“Në Evropën e Bashkuar, sot ka më shumë kufijë se sa në Evropë e ndarë gjatë luftës së ftohtë. Derisa Greqia po përballet me rrezikun e një krize të rëndë humanitare, në kufijtë e Ballkanit janë përqendruar armatat në gjendje gatishmërie. Çdo ditë po përballemi me rreziqe për hyrje ilegale në Maqedoni, dëmtimin e pronës shtetërore dhe private, përdorim të pasaportave fallse dhe akte të dhunës kundër forcave të sigurisë nga ana e migrantëve. Kemi ardhur në gjendje që Maqedonia të mbrojë Evropën“, thotë presidenti Ivanov.

Që nga fillimi i vitit nëpër territorin e Maqedonisë kanë kaluar mbi 50 mijë migrantët. Ata me trena speciale barten nga kufiri me Greqinë drejt atij me Serbinë prej nga vazhdojnë rrugëtimin drejt destinacionit të fundit, shtetet e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG