Ndërlidhjet

Një në dhjetë persona vuajnë nga sëmundja e veshkës


Sëmundjet e veshkave prekin 10 deri në 12 për qind të popullatës së Kosovës.

Ndërkaq, rreth 80 raste të reja në vit hyjnë në dializë. Këto janë shifrat që i paraqesin profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve shëndetësore.

Më 10 mars, Ditën Botërore të Veshkës, edhe në Kosovë organizohen aktivitete në përpjekje të vetëdijesimit të njerëzve për rëndësinë që ka trajtimi i duhur i sëmundjeve që ndërlidhen me këtë organ vital.

Sipas profesionistëve shëndetësorë, qytetarët nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth simptomave të sëmundjes së veshkës dhe parandalimit të saj.

Ymer Elezi, kryetar i Shoqatës së Nefrologëve të Kosovës, ka thënë se diagnostikimi i hershëm i sëmundjes së veshkave është më se i domosdoshëm.

Andaj, sipas tij, në funksion të informimit sa më të mirë të njerëzve, çdo vit shënohet Dita Botërore e Veshkave.

“Sëmundjet e veshkës janë heshtake, andaj duhet t'i kushtojmë rëndësi të madhe. Kategoritë që duhet mbrohen nga sëmundjet e veshkës janë ata që kanë shtypje të lartë të gjakut dhe diabeti. Mendohet që çdo i katërti që vuan nga diabeti është i sëmurë nga veshkat, por nuk e dinë, meqë e thashë që është sëmundje heshtake”, ka thënë Elezi.

Sivjet, dita botërore e veshkës po u kushtohet veçanërisht fëmijëve. Sipas Ymer Elezit duhet një vëmendje më e madhe nga prindërit për fëmijët, por gjithashtu kërkohet një vetëdijesim dhe kujdes edhe në shkolla e çerdhe.

- Por sa dinë fëmijët për sëmundjet e veshkës?

Yllka Rugova, nxënëse e klasës së nëntë të shkollës fillore ’’Sami Frashëri’’ në Prishtinë, thotë se ajo dhe të rinjtë, megjithatë kanë njohuri bazike për sëmundjen e veshkës.

“Pak a shumë jam e informuar për shëndetin në përgjithësi. Në klasën e 9-të është e paraparë me plan-program të mësohet veshka si organ. Me rastin e një aktivitetit që ka organizuar Qendra Klinike Universitare e Kosovës në Klinikën e Pediatrisë, kemi pasur mundësinë që të mësojmë gjëra shtesë rreth veshkës, si p.sh. simptomat e sëmundjes, parandalimi, kujdesi ndaj veshkës".

"Ka qenë një mundësi e mirë që na është ofruar neve si shkollë , për të parë sa kemi njohuri dhe të mësojmë gjëra shtesë nga mjekët”, ka thënë Yllka Rugova.

Ndërkaq Luljeta Musliu, infermiere në Repartin e Hemodializës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë se duhet një vetëdijesim më i madh i qytetarëve sa i përket sëmundjes së veshkës.

“Sa u përket njohurive të qytetarëve, mendoj se ata kanë deri diku informata, por jo mjaftueshëm. Mendoj se duhet më shumë vetëdijesim të njerëzve, pasi që në botë e edhe te ne, po shkon duke u rritur numri i të sëmurëve nga veshkat, dhe një në 10 persona është në një mënyrë i sëmurë nga veshkat”, ka deklaruar Musliu.

Ekspertët shëndetësor këshillojnë qytetarët që të kujdesen në mbrojtjen e veshkave duke konsumuar me shumë ujë dhe njëkohësisht duke pakësuar konsumimin e kripës.

Gjithashtu, preferohet që barnat të mos konsumohen pa arsye të forta, pasi që siç thonë ata, analgjetikët, sidomos, janë shumë të dëmshme për veshkat.

XS
SM
MD
LG