Ndërlidhjet

Nga 11 të akuzuarit, 6 pranojnë nxitjen e aktiviteteve terroriste


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Nën akuzat për indoktrinim dhe nxitje të të rinjve nga Maqedonia, për të marrë pjesë në luftërat në Lindjen e Mesme në kuadër të grupit militant i njohur si Shteti Islamik, gjashtë nga njëmbëdhjetë të akuzuarit, të premten para Gjykatës Penale të Shkupit kanë pranuar veprën penale për të cilën ngarkohen.

Pas kësaj, Gjykata Penale ka kërkuar që në bashkëpunim me prokurorinë të merren vesh rreth dënimit të këtij grupi, që u arrestua gjatë verës së vitit të kaluar, në kuadër të aksionit anti-terrorist “Celula” të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, të realizuar në disa qytete të Maqedonisë.

Gjatë aksionit në fjalë, u bastisën edhe disa objekte fetare për të cilat Bashkësia Fetare Islame kishte theksuar se nuk janë nën kontrollin e saj, me ç'rast u arrestuan dhe klerikë fetarë nga Shkupi, Tetova dhe Gostivari.

Pesë të akuzuarit e tjerë para gjykatës janë shprehur se nuk kanë asnjë lidhje me grupin që ka rekrutuar persona për të luftuar në Irak dhe Siri.

Ekspertët e sigurisë theksojnë se çështja e terrorizmit duhet të trajtohet me shumë kujdes për të mos nxitur reagime anësore në një kohë kur stabiliteti politik në Maqedoni është shumë i brishtë.

Pavle Trajanov ish-ministër i Punëve të Brendshme aktualisht deputet në Parlamentin e Maqedonisë vlerëson se organet gjyqësore, si dhe të gjitha institucionet e tjera të Maqedonisë, të cilat janë të përfshira në luftën kundër pjesëmarrjes së shtetasve të Maqedonisë në aktivete ushtarake në luftrat e huaja, duhet të jenë shumë transparente, veçanërisht gjatë realizimit të proceseve gjyqësore.

“Në përgjithësi proceset gjyqësore për rastet në fjalë, përkatësisht kur kemi të bëjmë me pjesëmarrjen e shtetasve të Maqedonisë në luftërat në Siri dhe Irak, duhet të jenë hapura për opinionin dhe tërësisht transparente, si preventivë për rastet tjera që mund të paraqiten në Maqedoni".

"Me shumë rëndësi është të kyçen të gjithë faktorët relevantë, siç është Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, sektori civil, mediat, po gjithsesi edhe partitë politike për të parandaluar dukurinë e kyçjes së shtetasve të Maqedonisë në luftërat e huaja, e cila gjithnjë e më shumë është prezente në shoqërinë tonë”, thotë Pavle Trajanov.

Bashkësia Fetare e Maqedonisë disa herë ka theksuar se kundërshton pjesëmarrjen e qytetarëve të Maqedonisë në luftërat në Siri dhe Irak, duke i konsideruar ato si të pakuptimta dhe në kundërshtim me parimet islame.

Presidenti i Maqedonisë Gjeorgje Ivanov në nëntorin e vitit të kaluar para gazetarëve ka theksuar se dhjetëra persona që kanë marrë pjesë në luftimet në Siri janë kthyer dhe gjenden në territorin e Republikës së Maqedonisë.

Ivanov bëri të ditur se nga Maqedonia, të regjistruar si pjesëtarë në luftimet në Siri janë 110 persona, përderisa 25 shtetas të Maqedonisë janë vrarë në luftërat në Lindjen e Mesme.

Ndryshe në bazë të Kodit Penal të Maqedonisë, pjesëmarrja ose rekrutimi i personave për tu përfshirë në luftërat e huaja paraqet vepër penale për të cilën parashihet më së paku 5 vjet burg.

XS
SM
MD
LG