Ndërlidhjet

Ligji për Trepçën trajton çdo pronë, brenda dhe jashtë Kosovës


Minierat e Trepçës, foto arkivi
Minierat e Trepçës, foto arkivi

Kombinati metalurgjik“Trepça” do të shndërrohet në pronë të qeverisë së Republikës se Kosovës, dukë përfshirë këtu të gjitha asetet e tij, qoftë në pjesën veriore të Kosovës, por edhe asetet që gjenden jashtë territorit të Kosovës.

Këtë mendim kanë udhëheqës të këtij kombinati dhe përfaqësues të sindikatës së punëtorëve të tij.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për themelimin e një Komisioni për Hartimin e Projekt -Ligjit për Trepçën.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se komisionit i është dhënë detyrë që në afatin optimal t’ia paraqes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik projekt-ligjin, dhe që deri në mesin e këtij viti, ai të procedohet në Qeveri dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ahmet Tmava, drejtor i përgjithshëm në kombinatin metalurgjik “ Trepça”, njëherësh anëtar i Komisionit, tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi i qeverisë është edhe një hap tjetër drejt definimit të statusit të këtij kombinati.

Kombinati metalurgjik "Trepça", gjendet në komunën e Mitrovicës; sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Përveç aseteve në Kosovë, 31 prona të këtij kombinati gjenden në republikat e ish Jugosllavisë, duke përfshirë këtu fabrika, zyra dhe objekte tjera.

Ky kompleks metalurgjik është nën një moratorium, të vendosur nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, ndërsa Agjencia Kosovare e Privatizimit është administrator i tij.

Sipas një vendimi të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, afati i fundit për dorëzimin e planit të organizimit të Trepçës është 1 nëntori i këtij viti.

Deri para kësaj date, Qeveria e Kosovës duhet të miratojë Ligjin për Trepçën, në mënyrë që ta shpëtojë nga likuidimi këtë ndërmarrje.

Tmava tregon se menaxhmenti i këtij kompleksi ka përgatitur një studim për të, dokument ky që, sipas tij, do të shërbejë si bazë për zgjidhjen e statusit përfundimtar të kësaj ndërmarrjeje.

“Unë jam optimist se status i Trepçës do të definohet dhe do të jetë status zhvillimor. Ne jemi shumë të kënaqur me këtë vendim dhe presim që të definohet statusi si status zhvillimor. Do të jetë një ndërmarrje më aksione qind për qind të qeverisë se Kosovës, do të thotë do të jetë aset shtetëror”.

"Esenca e Ligjit për Trepçën është sjellja e një statusi zhvillimor, kurse problemet tjera janë probleme në vazhdimësi. E pastaj do të trajtohet edhe borxhi i pretenduar dhe menaxhimi i asetëve të Trepçës, të cilat ndodhen jashtë territorit të Kosovës", ka thënë Tmava.

Përfaqësues të sindikatës se punëtorëve të këtij kombinati, njëri nga të cilët do te jenë anëtar i komisionit, thonë se "Trepça" do të jetë ndërmarrje publike dhe punëtorët nuk do të lejojnë që statusi i këtij kombinati të marrë drejtim tjetër.

Nezir Behrami, kryetar i kësaj sindikate për Radion Evropa e Lirë, thotë se në këtë ligj do të përfshihen të gjitha asetet e Trepçës, duke përfshirë edhe ato që gjenden jashtë territorit të Kosovës. Çfarë do vendimi tjetër, thotë ai, do të kundërshtohet nga punëtorët.

“Ne mendojmë se të gjitha astetët do të përfshihen, kjo është pasuri e jona. Janë mbi 100 asete që gjenden në territorin e Ish – Jugosllavisë, e mendojmë se do të përfshihen”, ka thënë Behrami.

Edhe anëtarët tjerë të komisionit për hartimin e Ligjit, konsiderojnë se ligji i hartuar do të zgjidhë problemet e tashme dhe ato të kaluara.

Ferat Shala, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, thotë se projekt-ligji do të jetë i gatshëm brenda një afati optimal.

“Dhe ne krejt atë që pretendojmë se është më e mira mbi bazën e një ekspertize shkencore dhe profesionale, do ta themi në komision. Dhe Ligji do të jetë produkti i debatit, analizës, produkt i konsensusit juridik, ekonomik, shkencor e pse jo edhe social e mjedisor", tha zoti Shala.

Ky kombinat që para viteve të 90-ta ka pasur 25 mijë punëtorë, ndërsa tash numëron vetëm 1400 punëtorë aktivë.

XS
SM
MD
LG