Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Migrantët në pritje të hapjes së kufirit


Autoritetet e Maqedonisë thonë se janë në pritje të direktivave që do të marrin nga vendet e Bashkimit Evropian lidhur me fatin e rreth 1 mijë e 500 migrantëve nga Siria, Iraku dhe Afganistani, të cilët ndodhen në Maqedoni.

Në kampin e Tabanovcit për më shumë se një muaj qëndrojnë 1 mijë e 100 migrantë, të cilët kryesisht janë nga Afganistani dhe Iraku, përderisa mbi 300 të tjerë, kryesisht nga Siria, kanë mbetur të bllokuar 12 ditë të plota në zonën neutrale mes Maqedonisë dhe Serbisë.

Safuat, 22 vjeç nga Alepo i Sirisë, shpreson që sa më parë të hapet kufiri për të vazhduar rrugën bashkë me familjen e tij drejt Evropës.

Ai thotë se për 12 ditë e ka pasur shumë të vështirë të qëndrojë në qiell të hapur, ngase tendat ishin mbushur me ujë, por në asnjë rast nuk është zmbrapsur nga qëllimi që të mbërrijë në ndonjë nga vendet e Bashkimit Evropian.

“Mendoj për të shkuar në Evropë, nuk synoj ndonjë shtet të caktuar, vetëm të jetë ndonjë nga shtet e Bashkimit Evropian, më e keqja është se askush këtu nuk na thotë asgjë”.

“Siç e shihni, këtu është shumë e vështirë, mungojnë gjërat elementare për jetesë, nuk kemi ujë për t’u pastruar... Natën bën shumë të ftohtë...dhe nëse do të detyrohemi të qëndrojmë më gjatë, rrezikohemi nga përhapja e sëmundjeve të ndryshme”, tregon Safuati, derisa po thante atletet që mbante në duar me shpresë se, në këtë ditë me diell, më në fund do të hapet kufiri i Serbisë.

Por, Demirshaab Baran nga Afganistani, rreth 30 vjeç i cili për më shumë se një muaj po qëndron në kampin e Tabanocit, thotë se me dhembje ka pranuar vendimin e vendeve të BE-së që të mos pranojnë shtetas afganë.

“Është shumë i dhimbshëm vendimi i BE-së, ne vijmë nga vendi ku ka rrezik të lartë për jetën, sepse tërë kohën zhvillohen luftime të ashpra. Unë me familjen time shpresojmë të arrijmë megjithatë në Gjermani, sepse atje tashmë janë dy vëllezërit dhe motra ime, të cilët udhëtuan gjatë verës”, thotë Demirshaab Baran.

Ndërkaq, organizatat humanitare, të cilat veprojnë në Maqedoni thonë seprogrami i Bashkimit Evropian për rivendosjen e refugjatëve në vendet e BE-së, po ecën shumë ngadalë ndërkohë që migrantët mbeten të bllokuar në kushte tejet të vështira, si në kampin e Idomenit përgjatë kufirit Maqedoni-Greqi, ashtu dhe ata të cilët ndodhen në zonën neutrale Maqedoni-Serbi.

“Atë që ne e kërkojmë si organizata humanitare nga Evropa, sepse ajo vendos nëse do t’i hap ose mbajë të mbyllur kufijtë dhe nëse vërtet dëshirojnë ta ndalojnë rrjedhën e migrantëve drejt Evropës, këtë duhet ta bëjnë që në bregdetinTurqisë".

"Kthimi prapa është një thyerje edhe më e madhe shpirtërore për migrantët, të cilët me muaj janë duke udhëtuar për të arritur në ndonjë vend të Evropës”, thotë Jasmin Rexhepi nga organizata humanitare “Legis”.

Ndryshe, Maqedonia më shumë se dhjetë ditë nuk ka lejuar të hyjë asnjë migrant në territorin e saj, madje policia maqedonase në bashkëpunim me armatën e Maqedonisë javën e kaluar ktheu prapa qindra migrantë, të cilët arritën të hyjnë përmes rrugëve ilegale nga Idomeni i Greqisë nëfshatin Moin të Gjevgjelisë.

XS
SM
MD
LG