Ndërlidhjet

Belgjika në zi; paralajmërohen sulme të tjera


Flamujt në gjysmështizë në Bruksel.
Flamujt në gjysmështizë në Bruksel.

Belgjika ka nisur tre ditët e zisë kombëtare, pas sulmeve me bomba që kanë goditur të martën Brukselin, duke vrarë 34 veta dhe plagosur rreth 250 të tjerë.

Policia është duke vazhduar kërkimet masive për një të dyshuar, që është kapur nga kamerat e sigurisë, pak përpara shpërthimit të dy bombave në aeroportin Zaventem.

Rreth një orë më vonë, një tjetër shpërthim ka goditur një stacion të metrosë në lagjen Maelbek.

Grupi ekstremist Shteti Islamik (IS) ka thënë se qëndron prapa sulmeve dhe ka paralajmëruar sulme të tjera.

Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë për “rreziqet potenciale” të udhëtimit në Evropë.

Në deklaratën e tij thuhet se grupet terroriste po planifikojnë “sulme të afërta në Evropë, duke vënë në shënjestër ngjarjet sportive, vendet turistike, restorantet dhe transportin”.

Sulmet e së martës kanë ndodhur katër ditë pas arrestimit të Salah Abdeslamit në Bruksel. Hetuesit thonë se Abdeslam ka qenë i përfshirë në sulmet terroriste në Paris, nëntorin e kaluar.

Policia po bën bastisje në Bruksel dhe në gjithë Belgjikën, në përpjekje për të gjetur personat që kanë lidhje me sulmet.

Policia ka lëshuar paralajmërim për një person, i cili, në kamerat e sigurisë në aeroport, është parë duke ecur me dy të dyshuar të tjerë, pak para shpërthimeve.

Ai është parë duke shtyrë një karrocë me valixhe, ku besohet se ka qenë një bombë, e cila nuk ka eksploduar. Dy personat e tjerë supozohet se kanë vdekur pasi kanë shpërthyer pajisjet vetëvrasëse.

Një shofer taksie, i cili ka dërguar tre të dyshuarit në aeroport, i ka dhënë policisë një adresë në zonën Shaerbek në Bruksel, ku janë zbuluar një tjetër pajisje shpërthyese, një flamur i Shtetit Islamik dhe sende të tjera.

Belgjika ka rritur alarmin e terrorizmit në nivelin më të lartë.

Transporti në Bruksel është paralizuar pas shpërthimeve, por disa shërbime kanë nisur më vonë. Aeroporti pritet të rihapet pas disa ditësh.

Kryeministri belg, Charles Michel, ka thënë se e marta ka qenë “një ditë e tragjedisë, një ditë e zezë” dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë “qetësi dhe solidaritet”.

Udhëheqësit botërorë kanë dërguar po ashtu ngushëllime dhe mesazhe solidariteti.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka cilësuar shpërthimet si “sulme të egra ndaj njerëzve të pafajshëm”, ndërsa 28 udhëheqësit e Bashkimit Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, kanë thënë se shpërthimet kanë qenë “sulm mbi shoqërinë tonë të hapur dhe demokratike”.

“Sulmet në Bruksel na kujtojnë se sa e rëndësishme është që ne të qëndrojmë së bashku në luftën kundër terrorizmit. Të gjithë aleatët e NATO-s janë pjesë e koalicionit që lufton Shtetin Islamik”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG