Ndërlidhjet

Lista Serbe kërkon vota për Vuçiqin


Serbët e Kosovës do të votojnë për zgjedhje parlamentare të Serbisë, të cilat mbahen më 24 prill dhe përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët i përfaqësojnë ata në institucionet e Kosovës, u kanë bërë thirrje që të votojnë për Partinë Progresiste të Serbisë, të cilës i prin kryeministri i deritashëm serb Aleksandar Vuçiq.

Dalibor Jevtiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, i cili vjen nga Lista Serbe, ditë më parë, madje e ka pohuar si fakt të kryer që serbët e Kosovës do të votojnë për Vuçiqin dhe partinë e tij.

“Serbët e Kosovës, më 24 mars, në numër dhe përqindje të madhe do ta mbështesin politikën e Aleksandër Vuçiqit, politikën e kësaj qeverie të Serbisë, e cila për serbët e Kosovës, prej vitit 2012, e sidomos prej vitit 2014, ka bërë shumë”, ka theksuar Jevtiq.

Njohësit serbë të zhvillimeve politike në Kosovë, vlerësojnë se është e natyrshme që Lista Serbe të kërkojë nga serbët e Kosovës që të votojnë për partinë e Vuçiqit, për shkak të afërsisë që ka ky subjekt politik me kryeministrin serb dhe partinë e tij.

Por, ata kanë mendime të ndryshme lidhur qasjen që mund ta kenë votuesit serbë të Kosovës.

Petar Miletiq, ish nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se nuk ka ndonjë hulumtim të saktë lidhur me atë se si do të votojnë ata, por, megjithatë, ai beson që shumica e serbëve do ta mbështesin Partinë Progresiste Serbe të Vuçiqit.

“Kjo mbase nuk do të ndodhë për shkak se serbët në Kosovë besojnë në atë politikë, por sepse kemi të bëjmë me një infrastrukturë partiake të fuqishme, me një ndikim të fuqishëm, si dhe me ndjenjën e njerëzve, të cilët, para së gjithash, punojnë në institucionet e Serbisë, siç janë institucionet e arsimit, shëndetësisë. Këta njerëz në mënyrë të drejtpërdrejtë varen nga njerëzit në pushtet në Beograd, apo eksponentët e tyre në Kosovë”, theksoi Miletiq.

Por, Rangjel Nojkiq, njohës i zhvillimeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se është e pasigurtë se për kë do të votojnë serbët e Kosovës, pavarësisht se votat e tyre janë minore në krahasim me ato të votuesve në Serbi.

“Është e pasigurt se për këtë do të angazhohen serbët e Kosovës, për shkakun e thjeshtë, sepse Lista Serbe i ka zhgënjyer pritjet e shumë serbëve. Ka pasur shumë premtime dhe pak realizim të tyre. Pjesëmarrja e serbëve në institucione nuk ka dhënë rezultatet e caktuara dhe në tërë këtë rrëfim ata kanë tentuar t’i ikin përgjegjësisë. Ata janë lidhur me Beogradin dhe po përpiqen që përgjegjësinë ta bartin mbi Beogradin. Serbët në Kosovë, për momentin, këtë e vlerësojnë si diçka të pashembullt”, tha Nojkiq.

Megjithatë, ai beson se shumica e votave të serbëve të Kosovës do të shkojnë për Partinë Progresiste të Serbisë, por jo në atë masë që kanë qenë në zgjedhjet e kaluara.

Miletiq vlerëson se përkundër faktit se në veri të Kosovës, rrymat që kundërshtojnë integrimin e serbëve në institucione të Kosovës janë më të fuqishme, integrim të cilin qeveria e deritashme e Vuçiqit e ka mbështetur, ato rryma, që kryesisht gravitojnë tek Partia Demokratike Serbe, nuk kanë më fuqi që të ndryshojnë diçka në favor të tyre.

“Nuk besoj që do të arrijnë ndonjë rezultat të rëndësishëm, posaçërisht sepse njerëzit janë të vetëdijshëm se rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë për parlamentin Serbisë, në asnjë mënyrë nuk mund të ndikojnë në mënyrë serioze në rezultatin përfundimtarë të zgjedhjeve”, theksoi Miletiq.

Nojkiq, vlerëson se me siguri që në veri të Kosovës do të ketë rezistencë ndaj partisë së Vuçiqit. Sipas tij, Vuçiqi e ka mbështetur integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, por ai nuk ka arritur që ta bëjë këtë në veri në atë masë që kjo është arritur në pjesën qendrore të Kosovës.

“Në pjesën qendrore, serbët janë integruar edhe pa Vuçiqin. Por, integrimi i serbëve të Kosovës, nuk është në mënyrën se si janë integruar serbët e pjesës qendrore. Kjo edhe është një nga arsyet se pse ka humbur besimi”, ka theksuar Nojkiq.

Sidoqoftë, Nojkiq ka shtuar se mosrealizimi i vizitës në Kosovë të paralajmëruar disa herë nga kryeministri i deritashëm serb Aleksandar Vuçiq, tregon se ai nuk e ka vënë si prioritet Kosovën. Kjo sipas tij, ka ndikuar që besimi në të nga serbët e Kosovës, të luhatet.

XS
SM
MD
LG