Ndërlidhjet

Të rinjtë në Beograd kujtojnë masakrën e Suharekës


Të rinjë në Beograd marshojnë me moton: : “Tejet të rinj për të kujtuar; të vendosur për të mos harruar”.
Të rinjë në Beograd marshojnë me moton: : “Tejet të rinj për të kujtuar; të vendosur për të mos harruar”.

Duke ecur në këmbë nga qendra e Beogradit deri në lagjen Batajnicë, 20 kilometra larg, pjesëtarë të organizatave joqeveritare në Serbi: Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut dhe Nisma Ime, kanë shënuar përvjetorin e masakrës në Suharekë të Kosovës.

Në vitin 1999, forcat serbe atje kanë vrarë 48 anëtarë të familjes Berisha.

Në vitin 2001, në Batajnicë është zbuluar një varrezë masive me trupat e më shumë se 700 shqiptarëve të Kosovës, përfshirë edhe viktima të Suharekës.

Me shkuarjen në Batajnicë, organizatorët e marshimit kanë thënë se duan të risjellin në pah rolin e organeve shtetërore në krimet në Kosovë dhe të protestojnë kundër politikës zyrtare që "rehabiliton përgjegjësit".

Batajnica, dikur poligon i policisë, sot është e rrethuar me tela dhe për të nuk flitet. Po ashtu, nuk ka asnjë shenjë që tregon se atje kanë qenë të varrosura qindra viktima.

“Është shumë afër qendrës së Beogradit dhe është e pabesueshme që për të dihet shumë pak”, ka thënë Jana Vujiq nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

“Gjatë vitit 2001, nga ky vend janë zhvarrosur mbi 700 mbetje të njerëzve të vrarë në Kosovë”, ka kujtuar njëri nga të tubuarit të shtunën në Batajnicë, Ivan Gjuriq.

Gërmimet atje kanë filluar pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit. Por, në Serbi, ende sot, masakra e Suhareksës dhe krimet e tjera të shtetit kujtohen vetëm nga disa organizata joqeveritare.

Familja Berisha është masakruar nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe më 26 mars të vitit 1999. Disa anëtarë të familjes janë vrarë në shtëpi, të tjerë janë dërguar në një kafiteri pranë, ku janë masakruar.

Nga masakra kanë mbijetuar vetëm tre anëtarë, ndërsa trupat e disa viktimave nuk janë gjetur ende.

Moto e marshimit të së shtunës në Batajnicë, i cili është përcjellë nga policia, ka qenë: “Tejet të rinj për të kujtuar; të vendosur për të mos harruar”.

“Kur autoritetet manipulojnë me fakte, mohojnë krimet e bëra dhe vënë në dyshim vendimet e Gjykatës së Hagës, atëherë edhe kriminelët shpallen heronj. Disa ministra kanë lavdëruar gjeneralin Llazareviq”, ka thënë Jana Vujiq nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.

I dënuari i Hagës, Vlladimir Llazareviq, ish-shef i policisë serbe në Kosovë, ka arritur në Serbi vitin e kaluar, pasi ka shërbyer dy të tretat e dënimit me burg në Sheveningen. Ai ka qenë fajtor për komandim të krimeve në Kosovë. Nga Haga në Serbi ka udhëtuar me avion special, i shoqëruar nga ministrat serbë të Mbrojtjes dhe të Drejtësisë.

“Llazareviq në Serbi është pritur si hero popullor. Ministri i Drejtësisë e ka quajtur hero i të rinjve”, ka thënë Jovana Prusina, një tjetër pjesëmarrëse në marshim, duke shtuar se me shpalljen e kriminelëve heronj, udhëheqja e shtetit e kthen Serbinë në kohë të errëta.

Marshimi i së shtunës, prej dy orësh e gjysmë, është mbështetur nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, i cili ka ndërmarrë një nismë që në Batajnicë, vendin e varrezës masive, të themelohet një qendër përkujtimore.

XS
SM
MD
LG