Ndërlidhjet

Hetime ndaj ish-drejtorit për siguri dhe kundërzbulim në Maqedoni


Maqedoni - Prokuroret Katica Janeva, Lence Ristevska dhe Fatime Fetai, 28 mars 2016
Maqedoni - Prokuroret Katica Janeva, Lence Ristevska dhe Fatime Fetai, 28 mars 2016

Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë të hënën ka njoftuar se ka ngritur procedurë hetimore, të emërtuar“Tortura”, kundër 7 personave të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, për ushtrim të dhunës.

Ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, si dhe komandanti i njësisë speciale të policisë së Maqedonisë “Alfa”, janë në mesin e shtatë personave kundër të cilëve Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë ka nisur procedurë për tejkalim të kompetencave, pasi ata, gjatë aktit të arrestimit të kryetarit të partisë “Të Bashkuar për Maqedoninë”, Lube Boshkovski, akuzohet se kanë ushtruar dhunë fizike dhe psiqike.

“Në bazë të dëshmive që kemi mbledhur është ngritur dyshim se më 6 korrik të vitit 2011, vetëm një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, i dyshuari i parë, ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, për shkak të përkatësisë, respektivisht bindjeve të kundërta politike, e ka urdhëruar komandantin e njësisë speciale “Alfa”, si dhe nëpunësit e tjerë të kësaj njësie, që gjatë arrestimit të Lube Boshkovskit të ushtrojnë dhunë fizike dhe psiqike”, ka sqaruar prokurorja Fatime Fetai.

Ndryshe, prokurorja Fetai, e cila është pjesë e ekipit të Prokuorisë Speciale të Maqedonisë, të hënën shkurt u është drejtuar medieve edhe në gjuhën shqipe.

“Të nderuar përfaqësues të medieve...pas 45 ditësh nga konferenca e parë për shtyp e kësaj Prokurorie, përsëri e kam nderin që para jush të prezantoj edhe një segment nga puna e Prokurorisë në zbardhjen e veprimeve të dënueshme, për të cilat edhe është themeluar”, ka deklaruar prokuroja Faime Fetai, duke vazhduar të flasë vetëm në gjuhën maqedonase.

Ajo ka sqaruar se Prokuroria punon në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, të cilat ia imponojnë asaj të drejtohet vetëm në gjuhën maqedonase, gjuhë kjo në të cilën zyrtarisht udhëhiqen procedurat penale në Maqedoni.

Ndërkohë, Prokuroja Speciale e Maqedonisë, Katica Janeva, është shprehur se institucioni që ajo drejton angazhohet për kthimin e besimit të qytetarëve të Maqedonisë ndaj organeve të drejtësisë.

“Përmes veprimit profesional dhe transparent angazhohemi që ta kthejmë besimin e secilit qytetar në arritjen e së drejtës dhe në përgjithësi ta kthejmë besimin e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë lidhur me vlerat juridike”,është shprehur Prokuroja Speciale e Maqedonisë, Katica Janeva.

Ndryshe, në takimin e fundit në shkurt të këtij viti, Prokuroria Speciale e Maqedonisë njoftoi për ngritjen e procedurave hetimore që kanë lidhje me mashtrimet zgjedhore, ku në mesin e të akuzuarve ishin ish-ministrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska dhe ish- ministri për Transport, Mile Janakievski, si dhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë, Kirill Bozhinovski.

XS
SM
MD
LG