Ndërlidhjet

Kuvendi i Maqedonisë votoi ministrat e rinj


Seanca e Kuvendit të Maqedonisë, 5 prill 2016
Seanca e Kuvendit të Maqedonisë, 5 prill 2016

Kuvendi i Maqedonisë ka votuar ministrat e rinj të Bashkimit Demokratik për Integrim, në një debat të përcjellë me akuza të ashpra mes partive politike.

Në vend të ministrave të deritanishëm, BDI-ja për Ministër të Drejtësisë ka emëruar Valdet Xhaferin, ministër të Arsimit, Pishtar Lutfiun, ministre të Pushtetit Lokal, Shyhrete Elezin, ministër të Ekologjisë, Bashkim Ahmetin, të Ekonomisë, Driton Kuçin, ndërsa në postet e zëvendëskryeministrave, Arbër Ademin, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Festim Halilin, për sektorin për çështje evropiane.

Kryeministri maqedonas, Emil Dimitriev tha se beson se ministrat e rinj, edhe pse me një mandat të kufizuar, do të arrijnë t’i kryejnë obligimet e tyre konform kushtetutës.

“Përkundër kompetencave të kuzifuara të qeverisë, pres që këta persona të angazhohen për zbatim të programit dhe projekteve qeveritare dhe të kenë punë të suksesshme dhe produktive në sektorët që do t’i udhëheqin”, deklaroi kryeministri, Dimitriev.

Deputetët e Partisë Demokratikë Shqiptare thanë se zëvendësimi i ministrave flet për dështimin e BDI-së në realizimin e të drejtave të shqiptarëve.

"Këto institucione, që udhëhiqeshin nga shqiptarët, në fakt ishin boshe, sepse asgjë nuk është bërë për shqiptarët. Ministrat që ishin aty, ishin sa për sy e faqe, sikur të mos ishte askush. Këto vende edhe më tej do të vazhdojnë të jenë bosh, sepse këta djem të rinj nuk do të mund të bëjnë asgjë, sepse tash futemi në fushatë parazgjedhore", ka deklaruar deputeti i PDSH-së, Imer Aliu.

Lidhja Social-demokrate votoi kundër listës së ministrave të propozuar, ndërsa adresoi një sërë kritikash ndaj partive në pushtet.

"Kishit një vit e gjysmë kohë për t’u reformuar, ndërkohë që silleshit si diplomatë. Vendimi i BDI-së për një hap të këtillë, pak para shpërbërjes së Kuvendit, është një kontribut i BDI-së për të kontribuar edhe më tepër në këtë krizë politike. BDI-ja ishte dëshmitar i shurdhër,por edhe bashkëpjesëmarrës në partizimin e institucioneve; ishte bashkëpjesëmarrës i vendimeve gjyqësore që dilnin nga defteri i VMRO-DPMNE-së", tha deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov.

Por, nga Bashkimi Demokratik për Integrim mbrojtën ministrat e propozuar, duke premtuar sukses në punën e tyre.

"BDI gjithmonë ka promovuar oferta të reja. Ne sot po bëjmë një kontratë të re me opinionin e Maqedonisë. Sot po tregojmë se kemi guxim dhe dituri që të heqim figurat që një kohë të gjatë ishin ngjitur për pozitat e tyre",ka deklaruar deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti.

XS
SM
MD
LG