Ndërlidhjet

Trump “i magjepsur” me liderin verikorean


Donald Trump
Donald Trump

Një ndihmës i lartë i kandidates demokrate për presidente të Shteteve të Bashkuara, Hillary Clinton, ka thënë se rivali i saj republikan, Donald Trump, ka një “magjepsje të çuditshme” me liderin verikorean, Kim Jong Un, dhe presidentin rus, Vladimir Putin.

Këshilltari i Clintonit për politikë të jashtme, Jake Sullivan, i ka bërë këto komente në përgjigje të vetë Trumpit, i cili, në një intervistë për agjencinë Reuters, ka thënë se do të bisedonte me diktatorin verikorean, Kim Jong Un, në përpjekje për të ndaluar Phenjanin nga zhvillimi i mëtejshëm i armëve bërthamore.

“Do të bisedoja me të (liderin verikorean, Kim Jong Un), nuk do ta kisha problem. Në të njëjtën kohë, do të bëja shumë presion mbi Kinën, sepse, ekonomikisht, kemi fuqi të jashtëzakonshme mbi Kinën; njerëzit nuk e kuptojnë këtë. Ne kemi fuqi të jashtëzakonshme mbi Kinën dhe Kina mund ta zgjidhë këtë problem (programin bërthamor të Koresë së Veriut) me një takim ose një telefonatë, sepse ajo ka fuqi të jashtëzakonshme mbi Korenë e Veriut”, ka thënë Trump.

Sullivan ka krahasuar gatishmërinë e Trumpit për të biseduar me zotin Kim, me kritikat e tij të fundit për kryeministrin britanik, David Cameron.

“Më lejoni të jem i drejtpërdrejtë: Donald Trump ofendon udhëheqësin e aleatit tonë më të afërt dhe thotë e do të bisedonte me Kim Jong Unin”, ka thënë Sullivan.

Këtë javë, Trump ka thënë se duket se nuk do të ketë marrëdhënie të mira më Mbretërinë e Bashkuar. Kryeministri britanik, David Cameron, dhe kryerari i ri i Londrës, Sadiq Khan, kanë kritikuar ashpër propozimin e Trumpit për t’iu ndaluar myslimanëve hyrjen në SHBA.

Trump “duket se ka një magjepsje të çuditshme me udhëheqësit e huaj, si Putin dhe Kim, por qasja e tij ndaj politikës së jashtme nuk ka kuptim për ne të tjerët”, ka thënë këshilltari i Clintonit, Jake Sullivan.

Koreja e Veriut ka testuar armën e parë bërthamore në vitin 2006, duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare, dhe ka bërë kërcënime të vazhdueshme për sulme bërthamore kundër Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.

Aktualisht, çdo kontakt i Phenjanit me SHBA-në bëhet midis zyrtarëve dhe jo në nivel presidencial. Dy vendet nuk kanë marrëdhënie zyrtare diplomatike.

Trump, duke folur për agjencinë Reuters, ka thënë se nuk pajtohet me veprimet ushtarake të Putinit në lindje të Ukrainës.

“Nuk më pëlqen, nuk më pëlqen fare çfarë bën ai në Ukrainë”, ka thënë Trump, i cili më herët ka deklaruar se Putin është një figurë të cilën ai e respekton.

Zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara mbahen këtë nëntor. Trump është kandidati i vetëm në garë për të marrë nominimin e Partisë Republikane si kandidat për Shtëpinë e Bardhë. Në kampin demokrat, favorite është ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton.

Përgatiti: Valona Tela (REL)
XS
SM
MD
LG