Ndërlidhjet

Vdiq Muhammad Ali - legjenda e boksit


Kujtimi për Muhammad Alinë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:24 0:00

Kujtimi për Muhammad Alinë

Legjenda e boksit botëror, Muhammad Ali, ka vdekur në moshën 74-vjeçare, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e Parkinsonit.

Vdekja e tij u konfirmua të shtunën, një ditë pasi u pranua në një spital në Feniks, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Të arriturat e tij të jashtëzakonshme gjatë karrierës në boks, aftësia e paprecedent për shou dhe ndonjëherë qëndrimet kundërthënëse, e bëjnë Muhamad Aliun, njërin prej personaliteteve më të njohura të shekullit XX.

Ai ishte boksieri i parë që titullin e kampionit botëror në kategorinë e rëndë e fitoi tri herë.

Por, boksieri amerikan, Muhamed Ali, u shndërrua në diçka më tepër se sportist interesant dhe i suksesshëm. Ai është shprehur fuqishëm kundër racizmit në vitet ‘60, dhe për luftën në Vietnam.

Gjatë periudhës sa ishte kampion në ring dhe pas saj, boksieri amerikan, Muhamed Ali, është takuar me shumë liderë botërorë, meqë konsiderohej personi më i njohur në gjithë botën, madje edhe në fshatrat e panjohura shumë larg nga Shtetet e Bashkuara.

Afro tre vjet pasi u tërhoq nga boksi, në vitin 1981, ai u diagnostikua me sëmundjen e Parkinsonit.

“Një pjesë imja u largua, pjesa më e madhe”, tha nëpërmjet rrjetit Twitter, George Foreman, ish-kampion botëror në kategorinë e rëndë dhe njëri prej kundërshtarëve më të mëdhenj të Aliut në ring.

Pas takimit me boksierin George Foreman, në Kinshasa të Kongos, më 30 tetor të vitit 1974, Muhamed Ali, pati thënë:

“Ju kam thënë se unë ende jam më i madhi i të gjitha kohërave. Kurrë më mos thoni se dikush do të fitojë kundër meje. Kurrë më mos më bëni humbës, derisa t’i mbushi 50 vjet”.

Ish-kampioni i boksit, Roy Jones i Riu, që u rrit në periudhën kur Muhammad Aliu ishte boksieri më i mirë, po ashtu, ka shkruar në Twitter: “Zemra ime është thellë e pikëlluar, por njëherësh jam mirënjohës dhe i liruar që më i madhi tash po pushon në paqen më të madhe”.

Shprehjen më i madhi e përdorte vetë kampioni legjendar, Muhammad Ali.

“Tash mos të flasë askush! Kujdes, ju thashë se të gjithë kritikët e mi, ju thashë të gjithë, se unë jam më i madhi i të gjitha kohërave”, kishte deklaruar Muhammad Ali, pas takimit në Kinshasa.

Boksieri Ali ishte legjendë e vërtetë e sportit, pasi kishte fituar në 56 duele, prej tyre 37 me nokaut, ndërsa i kishte pësuar vetëm 5 humbje.

I lindur në Luizville të Kentakit në Shtetet e Bashkuara, me emrin Cassius Marcellus Clay i Riu, ai e ndërroi emrin në vitin 1964, në Muhammad Ali, me ç’rast u konvertua në fenë islame.

Ndryshimin e emrit e shpjegoi me faktin se Cassius Clay ishte emri që pronari i bardhë ua jepte skllevërve, prandaj ai ka dëshiruar ta zgjedhë “një emër shumë të bukur afrikan”.

Ai u shndërrua në simbol të çlirimit të zezakëve dhe të drejtave civile, pasi refuzoi të shërbente në ushtrinë amerikane gjatë luftës në Vietnam, për arsye religjioze. Aktivizimi i tij kundër luftës ndikoi në ndërprerjen e karrierës së tij sportive në kohën kur ai ishte më i miri.

Derisa ishte tejet i dashur për shumë vetë, arroganca dhe komentet shoqërore, e shndërruan atë, po ashtu, në sytë e disave si person ofendues.

Njeriu që shkëlqente në ring, dalëngadalë ishte mundur nga sëmundja e Parkinsonit, e cila ndikoi që ai të dridhej dhe ta humbte zërin.

Paraqitja e tij e fundit publike ishte në muajin prill të këtij viti në ceremoninë “Celebrity Fight Night” në Arizona, që është një aktivitet humanitar, nga i cili përfitojnë ata që vuajnë nga sëmundja e Parkinsonit.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG