Ndërlidhjet

Kosova dhe SHBA-të mbesin partnerë strategjikë


Ilustrim
Ilustrim

Dita e Pavarësisë së SHBA-së është njëkohësisht edhe festë për shqiptarët në Kosovë. Po aq sa edhe pavarësia e vendit, 4 Korriku - Dita e Pavarësisë së SHBA-së - për qytetarët e Kosovës shënon një kremtim të veçantë.

Në këtë Ditë në Prishtinë, në Bulevardin Bill Clinton, pikërisht përpara shtatores së Presidentit Clinton, më 4 korrik ngritet flamuri amerikan, një prej aktiviteteve të Shoqatës “Miqtë e Kosovës”. Shtatorja u vendos në vitin 2009 dhe tregon Presidentin Clinton me një dokument në dorë të 24 Majit 1999, me të cilin miratohet hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës, Agim Rexhepi, thotë se për “kosovarët dhe përgjithësisht shqiptarët, Dita e Pavarësisë së SHBA-së është e një rëndësie të posaçme, një obligimi moral dhe njerëzor ndaj SHBA-ve, për shkak “të të gjithë asaj që kanë bërë përgjatë gjithë historisë e në veçanti në vitin 1999, kur me aleatët e tyre e ndalën spastrimin etnik”.

"Pjesa dërrmuese e kosovarëve e vlerësojnë shumë këtë, por mendoj se është e nevojshme të bëhet edhe më shumë, përveç aktiviteteve me rastin e 4 Korrikut, me qëllim të dëshmimit të respektit ndaj SHBA-së. Me këtë forcohet vetëdija e opinionit në Kosovë dhe përçohet një porosi e fuqishme në SHBA”, thotë Rexhepi.

Në bazë të një hulumtimi të Gallup International, të zhvilluar në 139 shtete të botës, Kosova radhitet për herë të dytë, vendi më pro amerikan.

Në Kosovë ka njerëz që bartin emra të burrështetasve amerikanë, kurse një pjesë e rrugëve dhe bulevardeve gjithandej vendit mbajnë emrat e presidentëve amerikanë.

Shaban Gashi nga Peja, që mbi 30 vjet jeton në New York me gjithë familjen e tij, ka vendosur që më 4 korrik në Sheshin Nëna Tereza në Prishtinë të shpalos 100 fotografi të tij “të bëra përgjatë përpjekjeve shumëvjeçare të luftës për çështjen kombëtare shqiptare”.

"Në këto fotografi janë të gjitha aktivitetet e familjes sime, e cila në 35 vitet e fundit është marrë me çështjen kombëtare, filluar me aktivitetet përpara Shtëpisë së Bardhë. Nuk kemi kursyer asnjëherë asgjë. Kur ka qenë e nevojshme kemi protestuar edhe përpara OKB-së dhe Shtëpisë së Bardhë. Qëllimi ynë ka qenë që të arrijmë këtu ku kemi arritur – deri tek pavarësia e Kosovës nuk do të arrihej pa mbështetjen e SHBA-së”, tha Gashi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në kremtimin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, tha se “Shtetet e Bashkuara mbesin partneri më strategjik dhe miku më i madh për Kosovën dhe prandaj e gjithë agjenda politikeështë përputhur me atë amerikane”.

Qytetarët e Kosovës i shohin SHBA-të si vend mik për shkak të mbështetjes së madhe që SHBA-të i kanë dhënë në arritjen e pavarësisë, pas largimit të forcave ushtarake serbe në vitin 1999, që pasoi një periudhë prej 78 ditë të bombardimeve të NATO-s mbi objektivat serbe.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë me Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se “është i lumtur që do ta festojë Ditën e Pavarësisë në një vend që - jashtë Shteteve të Bashkuara - është vendi më pro-amerikan në botë”.

Ambasadori Delawie tha se SHBA-të, pas një numër mosmarrëveshjesh dhe kontesteve për kufirin dhe paqartësive të gjata për mënyrën e qeverisjes, 200 vjet më vonë, u shndërruan në demokraci të gjallërishme dhe të fuqishme, që përmbushin vizionin e shumë njerëzve që i kanë pasur shpresat më të mëdha.

“Këtë e shpresoj edhe për Kosovën: që pas dhjetëra e qindra viteve, Kosova ende të jetë demokraci e gjallërishme dhe e fuqishme, që do t’i ndihmojë qytetarët e saj për t’i përmbushur dëshirat e tyre”, ka thënë ambasadori Delawie. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG