Ndërlidhjet

Maqedonia pret raport të kushtëzuar nga Komisioni Evropian


Arkiv - Ambasadori i BE-së, Aivo Orav dorëzon Raportin e Progresit 2015 te kryeministri maqedonas,Nikola Gruevski
Arkiv - Ambasadori i BE-së, Aivo Orav dorëzon Raportin e Progresit 2015 te kryeministri maqedonas,Nikola Gruevski

Qeveria e Maqedonisë pret që Raporti i Progresit i Komisionit Evropian të mos dallojë shumë nga ai i viteve të kaluara. Ngecjet në reforma dhe kriza e thellë politike në të cilën ndodhet vendi, besohet se edhe këtë vit do të pamundësojnë hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa do të kushtëzohet edhe me zgjedhje të lira dhe demokratike, më 11 dhjetor.

“Ne, sikurse edhe çdo vit, edhe sivjet besojmë se do të kemi një raport objektiv, korrekt, një raport real ku do të pasqyrohet i gjithë progresi që është arritur në periudhën e kaluar. Por, gjithashtu presim që i njëjti raport të përmbajë edhe rekomandime, para se gjithash në sferat që kanë të bëjnë me reformat parësore”.

“Pra, në bazë të dhënave tona, Maqedonia do të merr rekomandim. Ky rekomandim do të jetë i kushtëzuar dhe kushti do të jetë organizimi i zgjedhjeve sipas standardeve evropiane, zgjedhje të lira, demokratike dhe të besueshme”, ka deklaruar zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Arbër Ademi.

Statusin e shtetit kandidat Maqedonia e ka fituar në vitin 2005, por që atëherë nuk ka mundur të nis bisedimet për anëtarësim, fillimisht për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë, ndërsa tani edhe për shkak të kushteve shtesë, ngecjeve në shumë fusha dhe aferës së përgjimeve, e cila rezultoi me ngritjen e hetimeve dhe padive ndaj dhjetëra funksionarëve të lartë për shpërdorim detyre dhe vepra të rënda kriminale.

“Pres një vazhdim të status-quos. Rekomandimi sërish do të mbetet i pezulluar, një raport me më shumë kushte, kësaj radhe me nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të lira, me sundimin e së drejtës dhe reformave tjera të kërkuara edhe më herët”.

“Kësaj radhe gjithashtu vlerësoj se do të përmendet edhe vendimi i presidentit për faljen e dhjetëra zyrtarëve të dyshuar për afera të ndryshme kriminale. Kjo la një njollë të keqe për të tërë sistemin në vend. Pra, me një fjalë pres një raport kritik, me tone edhe më të ashpra se raportet e kaluara”, thotë Malinka Jordanova nga Instituti për Politikë Evropiane.

Nga ana tjetër, Nano Ruzhin, profesor universitar dhe ish ambasador i Maqedonisë në NATO, thotë se Raporti i Progresit - përveç kritikave tani më të njohura - do të përmbajë edhe vërejtje serioze lidhur me pengesat që po i bëhen Prokurorisë Speciale, e cila u themelua me ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare për hetimin e të gjitha aferave që dolën nga publikimi i bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë shtetëror.

“Çështjet që kanë të bëjnë me mosfunksionimin e shtetit ligjor, gjyqësinë e varur nga politika dhe në veçanti pengesat në punën e Prokurorisë Speciale që të hetojë rastet e aferës së përgjimeve, do të jenë pjesët kryesore të Raportit të Progresit, i cili ashtu sikur edhe më parë, do të jetë me kritika, pa gjasa për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thotë Ruzhin.

Ai dhe Malinka Jordanova, si shumë me rëndësi për të ardhmen e Maqedonisë, shohin mbarëvajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 11 dhjetor. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG