Ndërlidhjet

Animi emocional i liderëve, nuk dëmton raportet me SHBA-në


Ilustrim
Ilustrim

Pozicionimi i liderëve kryesorë politikë shqiptarë të Kosovës në anën e njërit prej kandidatëve në garën presidenciale në Shtete e Bashkuara të Amerikës, është rast i pazakonshëm, që nuk ka ndodhur më parë.

Por, megjithatë, sipas njohësve të zhvillimeve në Kosovë, ky pozicionim ka anashkaluar çdo rregull, siç e quajnë ata, të bontonit diplomatik dhe politik.

Në këtë garë, liderët kryesorë politikë të shqiptarëve, janë pozicionuar për një fitore të mundshme të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, përballë rivalit të saj Donald Trump, i cili e ka fituar garën presidenciale, duke u zgjedhur presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Njohësit e zhvillimeve në Kosovë, vlerësojnë se pozicionimi i tillë është bërë për motive emocionale që ndërlidhen me zonjën Clinton, si dhe bashkëshortin e saj Bill Clinton, i cili ishte president i SHBA-së në kohën kur ky vend u kishte prirë sulmeve të NATO-s mbi caqet serbe në vitin 1999, gjë që rezultoi me tërheqjen e forcave të shtetit të Serbisë nga Kosova.

Këto ngjarje kanë shtrirë dhe vazhdojnë të shtrijnë ndikim emocional te të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe jashtë saj, vlerëson politologu Belul Beqa, profesor i Shkencave Politike. Sipas tij, këtij ndikimi nuk i janë shmangur as liderët e tyre.

“Gjithë liderët kryesorë të botës shqiptare, pak a shumë, kanë qenë të emocionuar dhe kjo ka qenë e natyrshme për shkak të mbështetjes që kemi pasur në periudha të ndryshme të historisë. Por, kjo nuk do të thotë se e njëjta gjë do të ndodhë nga Trumpi në raport me liderët shqiptarë. Unë mendoj që ai, nëse mendon që të jetë lider botëror, do ta racionalizojë konceptin karshi të gjithëve, pavarësisht se kanë pasur qasje emocionale karshi tij”, vlerëson Beqa.

Ilir Ibrahimi, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se është më se e kuptueshme pse liderët kryesor shqiptarë, janë rreshtuar për mbështetje ndaj ish-sekretares Clinton. Por, ky veprim, sipas tij, nuk mund të konsiderohet i zgjuar në diplomaci dhe politikë.

“Pra, janë pozicionuar rreth një kandidati presidencial në Shtetet e Bashkuara, që nuk është një rregull i mirë, sepse zgjedhjet në Amerikë apo në cilindo vend që bëhen, janë punë e shtetasve të atij vendi që votojnë aty. Është ndoshta një mësim që duhet ta marrin politikanët tonë në të ardhmen, se gjërat e tilla nuk guxohet të bëhen, sepse nuk është diplomatike, nuk është bonton i politikës ndërkombëtare që të marrësh qëndrime të tilla”, pohon Ibrahimi.

Në anën tjetër, në rrjetet sociale, tashmë po bëhet debat rreth asaj se a do ta ndryshojë qasjen administrata e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me presidentin e zgjedhur Trump.

Por, politologu Beqaj nuk beson që kjo mund të ndodhë. Përkundrazi, siç thotë ai, presidenti i zgjedhur Trump, do të jetë shumë racional.

“Nuk besoj që një president, një lider botëror, do të merret me liderët e shteteve, të cilat kanë pak ndikim në raporte ndërkombëtare. Përkundrazi, besoj që ai do ta mirëkuptojë këtë gjendje emocionale, për arsye se edhe mbështetja amerikane ka qenë e tillë dhe besoj që ai do ta ketë një qasje krejtësisht tjetër karshi asaj çfarë mendojnë shqiptarët, se ai do të hakmerret për shkak se dikush ka pasur një qëndrim ndoshta joadekuat për të”, thekson Beqaj.

Analisti Ibrahimi vlerëson se presidenti i zgjedhur amerikan, Trump, mund të bëjë ndryshime në politika të brendshme dhe të jashtme. Por, sipas tij, administrata amerikane është e vendosur në strategji dhe plane të qarta afatgjate, të cilat jo me domosdo ndryshojnë rrënjësisht sapo të ndryshojë presidenti.

“Padyshim që do të kemi ndryshime në politikat e jashtme dhe të brendshme, sepse për këtë edhe zgjidhet presidenti. Mirëpo, me këtë rastin e Kosovës, nuk po besoj që do të kemi ndonjë ndryshim të madh të qasjes amerikane ndaj Kosovës, sepse nuk është që relacionet tona varen se çfarë ka thënë Hashim Thaçi apo çfarë ka thënë Edi Rama në Shqipëri. Strategjia amerikane ndaj shqiptarëve është e bazuar ndërmjet popujve dhe jo ndërmjet politikanëve individualë”, vlerëson Ibrahimi.

Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 8 nëntor, Donald Trump ka fituar276 vota elektorale dhe ai do ta udhëheqë SHBA-në në katër vjetët e ardhshëm. Vetëm një ditë më pas, liderët politik të Kosovës e kanë uruar presidentin e zgjedhur Trump, për fitoren e tij.(REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG