Ndërlidhjet

Verifikohen listat e kandidatëve për zgjedhjet e 11 dhjetorit


Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka verifikuar listat e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e 11 dhjetorit. Në garën zgjedhore janë përfshirë 12 parti politike dhe koalicione për të siguruar vende në Kuvendin e Maqedonisë.

Tre vende janë caktuar për diasporën, por jo detyrimisht të ketë tre të zgjedhur, pasi që kjo varet nga dalja e tyre në votime.

Zgjedhjet mbahen sipas sistemit proporcional me lista të mbyllura edhe atë në gjashtë njësi zgjedhore dhe në çdonjërën prej tyre zgjidhen nga 20 deputetë.

Sa u përket partive politike shqiptare, beteja kryesore do të zhvillohet në njësinë e gjashtë zgjedhore që përfshinë qytetet me popullatë shqiptare si Tetovën, Gostivarin, Kërçovën dhe një pjesë të Dibrës.

Në garë në këtë njësi janë kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe drejtuesit e dy partive të reja, i lëvizjes Besa, Bilall Kasami dhe Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Njohësi i çështjeve politike, Alajdin Demiri ndalet para se gjithash tek partitë e mëdha të cilat, sipas tij, vazhdojnë të dominojnë skenën politike dhe të aktrojnë për “gjoja përfshirjen e kuadrove të rinj në lista”.

“Këta liderë duke dashur që t'i shmangin stereotipet se gjithnjë janë të njëjtit në lista, i kanë larguar disa e të tjerë i kanë afruar. Por, problemi është se edhe ata që i afruan janë të ngjashëm, me atributet, që do të thotë servilë, të dëgjueshëm, të kuptueshëm dhe që nuk do të kundërshtojnë asnjëherë”.

“Kjo është logjika e listave se jashtë kësaj nuk mund të kuptohet. Ndoshta mund të shkohet me tezën se ka demokraci, apo se listat janë demokratike, por kjo nuk qëndron. Këto janë lista të emëruara nga vet liderët dhe paraqesin uzurpim të demokracisë nga ana e tyre”, thotë Demiri.

Sipas tij, një përzgjedhje e këtillë e kandidatëve për deputet është si rezultat i sistemit proporcional me lista të mbyllura.

Beteja kryesore tek partitë maqedonase do të zhvillohet në njësinë e katërt zgjedhore, ku bartës të listave të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së janë liderët partiak, Nikolla Gruevski dhe Zoran Zaev. Në listat e VMRO-DMPNE-së, përveç liderit të saj, Nikolla Gruevski ka edhe personalitete të reja politike, por jo edhe disa nga protagonistët kryesorë të saj si Gordana Jankullovska, Mile Janakievski dhe Sasho Mijallkov që po hetohen për vepra të rënda penale nga Prokuroria Speciale.

Edhe te LSDM-ja, gjithashtu, janë bërë disa ndryshime kuadrosh edhe pse bartës të listave janë sërish figurat kyçe të partisë.

“Partitë po bëjnë përpjekje për të treguar se po bëjnë ndryshime me kandidaturat e tyre, se po sjellin freski, apo se disa më të vjetër i lëshojnë vendin kuadrove të rinj. Por, kjo nuk do të thotë se ata do të anashkalohen në tërësi, pasi mund të jenë sërish pjesë e partisë apo përfaqësues në pushtetin ekzekutiv”, thotë, njohësi i çështjeve politike, Bozhinovski .

Ndërsa duke komentuar listat e VMRO-së, analisti Petar Arsovski thotë kjo parti ishte e detyruar në ndryshime për shkak të reagimeve të opinionit.

“Duket se VMRO-ja ka bërë përpjekje për të freskuar listat me personalitete të reja, përveç liderit i cili vazhdon të qëndroj në krye të listave partiake. Vlerësoj se reagimi i opinionit ka ndikuar në listat e kësaj partie pasi pjesa më e madhe e atyre që janë nën hetime nga prokuroria speciale nuk janë në listat për deputetë”, thotë Arsovski.

Fushata elektorale e partive zgjatë 20 ditë, nga 20 nëntori e deri më 9 dhjetor. Për shkak të krizës së rëndë politikë, këto zgjedhje vlerësohen si më të rëndësishmet që nga pavarësia e Maqedonisë. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG