Ndërlidhjet

Mospajtimet e koalicionit fusin Kosovën në ‘krizë buxhetore’


Një nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës

Buxheti i parashikuar për vitin 2017 javët e fundit është bërë çështje diskutimesh, por edhe mospajtimesh, mes partive të koalicionit, përkatësisht Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe ato të opozitës.

Projekt buxheti, i cili pritet të diskutohet, ka mangësi të mëdha, thonë deputetët e partive në pushtet dhe opozitë dhe, si të tillë, nëse nuk pëson ndryshime, mund edhe të mos e votojnë.

Nëse buxheti nuk votohet sipas procedurave ligjore, deri më 20 dhjetor, vendi mund të shkojë në krizë buxhetore dhe të humb mjete financiare ndërkombëtare.

Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm do të jetë mbi 2 miliardë euro.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se projektbuxheti është real dhe i dakorduar sipas standardeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Për këtë, deputetët e LDK-së, thotë ai, do ta votojnë këtë projektbuxhet kur ai të kalojë në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“Krejt shifrat që paraqiten janë reale dhe qind për qind të harmonizuara me FMN. Dhe mund të them se për herë të parë shifrat janë të përgatitura në mënyrë konservative."

"Shifrat e FMN- së, madje, kanë qenë më të mëdha. Problemi kryesor, ashtu siç e shoh unë, është problemi me veteranët e luftës, dhe këtu është mirë të deklarohet, nuk ka tjetër gjë”, thotë Krasniqi.

Edhe partia e koalicionit qeveritar, Partia Demokratike e Kosovës, ka paraqitur vërejtje në projektligj, sa i përket planifikimeve dhe sipas tyre nuk është analizuar në mënyrë të duhur.

Zëvendëskryetarja e parë në Komisionin për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, Safete Hadërgjonaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se në rast se nuk harmonizohen shqetësimet e kësaj partie me partnerin e koalicionit, buxheti nuk do të kalojë në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“Buxheti ka kaluar në komision, por ende nuk ka kaluar në seancë plenare. Mbetet që partneri i koalicionit të dialogojë, pra ne si partnerë të koalicionit dhe të harmonizohemi në qëndrime dhe në çështjet të cilat janë ngritur si shqetësime."

"Nëse harmonizohemi shkon në seancë plenare, votohet dhe ecë më tutje. Nëse nuk harmonizohemi, atëherë nuk ka çka të shkojë në seancë plenare, sepse nuk votohet”, shprehet Hadërgjonaj.

Javën e kaluar, ndërkaq, është thënë se projektligji është shqyrtuar në Komisionin parlamentar për buxhet dhe financa, ku me gjithë vërejtjet e shumta, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve për t’u proceduar tutje në Kuvend për shqyrtim dhe miratim.

Edhe deputetët e partive opozitare, njëherësh anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, paraqesin mospajtimet rreth planifikimit të buxhetit. Ata japin faktet që, sipas tyre, obligojnë që deputetët e opozitës të mos e votojnë.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bali Muharremaj, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë buxhetin.

“Për arsye se është një buxhet elektoral, ky buxhet është përgatitur për zgjedhje. Arsye tjetër është se ne nuk dëshirojmë të fusim shtetin në borxhe, për shkak se planifikohet të merret kredi prej 100 milionë eurosh."

"Po ashtu, planifikohet të merren edhe paratë e Trustit të Kursimeve Pensionale dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Për ne, një buxhet real, do të ishte një miliard e 725 milionë euro", tha Muharremaj

Edhe deputeti nga Partia Nisma, Enver Hoti, ka thënë se projektligji për buxhet nuk do të votohet nga deputetët e kësaj partie, pasi, sipas tij, nuk janë të kënaqur me mënyrën e planifikimit.

“Sepse mendojmë se nuk janë real parametrat në të cilët është mbështetur qeveria në këtë planifikim. Është një diferencë në mes të hyrave buxhetore dhe shpenzimeve për vitin 2017, mbi 270 milionë euro. Mendoj se ky deficit do të fus vendin në krizë të thellë financiare në të ardhmen”, thekson Hoti për Radion Evropa e Lirë

Ndryshe, nëse buxheti nuk arrihet të miratohet në Kuvendin e Kosovës, sipas afatit kohor, në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave, në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm shpenzimet buxhetore duhet të realizohen në 1/12 e buxhetit të këtij viti. (REL)

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG