Ndërlidhjet

Pasiguri ekonomike dhe politike në Itali

  • RFE /RL

Humbja e thellë e kryeministrit të Italisë, Matteo Renzi, në referendumin e së dielës bën që ky vend të përballet me pasiguri politike dhe ekonomike.

Renzi njoftoi dorëheqjen, pasi planet e tij për të reformuar Kushtetutën janë refuzuar nga votuesit.

“Vota ‘Jo’ fitoi bindshëm. I përgëzoj liderët e fushatës ‘Jo’. Shpresoj se do të punojnë mirë, në interes të vendit tonë, Italisë dhe italianëve”, tha Renzi në orët e para të së hënës.

Renzi ka rrezikuar të ardhmen e tij politike, në përpjekje për të ndryshuar sitsemin politik të Italisë. Ai ka dashur të forcojë qeverinë qendrore dhe të dobësojë Senatin – Dhomën e Lartë të Parlamentit.

Por, kundërshtarët e tij, përfshirë edhe disa nga partia e tij, kanë argumentuar se reformat do t’i jepnin kryeministrit shumë pushtet dhe elektorati është pajtuar.

Diferenca prej 20% e votave është fitore e madhe për Lëvizjen populiste Pesë Yjet, e cila ka udhëhequr opozitën ndaj reformave, dhe për Ligën Veriore, parti ksenofobike.

Dy partitë nuk janë aleate tradicionale, por kanë bashkuar forcat për të nxjerrë Renzin nga zyra. Të dyja ato janë kundërshtare të Eurozonës, por jo të anëtarësisë në Bashkimin Evropian.

Jeroem Dijsselbloem, i cili kryeson Eurozonën 19-anëtarëshe, hodhi poshtë ndonjë krizë të shpejtë.

“Nuk e ndryshon situatën ekonomike në Itali apo në bankat e Italisë. Problemet që i kemi sot, janë probelme që i kemi pasur dje”, tha ai.

Bankat e Italisë janë aktualisht pika më problematike e Eurozonës. Ato janë duke luftuar me një barrë të madhe borxhesh dhe kredish, të cilat kanë pak gjasa të paguhen plotësisht.

Niveli i borxhit në Itali në raport me Bruto Produktin Vendor (GDP) qëndron në 133%, që është niveli i dytë më i keq në Eurozonë pas Greqisë.

Ekonomia e Italisë është për 12 përqind më e dobët seç ka qenë kur ka nisur kriza financiare në vitin 2008.

Tregjet janë ndikuar menjëherë pas njoftimit të Renzit për dorëhqeje. Aksionet dhe euroja kanë rënë në tregtinë e hershme në Azi, por nuk ka pasur shenja të panikut.

Agjencia e lajmeve Reuters ka cituar ministrin e Financave të Gjermanisë, Wolfgang Schaeuble, të ketë thënë se nuk ka aryse për krizë të euros, porse Italia ka urgjentisht nevojë për qeveri funksionale.

Nuk është ende e qartë se çfarë do të pasojë humbjen e Renzit. Zgjedhjet e reja nuk do të pasojnë automatikisht, por me gjasë në fund të pranverës, në kohën kur edhe Britania e Madhe do të nisë negociatat për dalje nga Bashkimi Evropian.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se rezultati i referendumit në Itali nuk e ndryshon në asnjë mënyrë pozicionin e Italisë në NATO.

“Italia luan rol kyç në shumë mënyra në NATO. Pres të vazhdojmë punën me Italinë edhe në të ardhmen”, tha Stoltenberg. (REL)

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG