Ndërlidhjet

Partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar se në Portën Triumfale në qendër të Shkupit do të vendos një matës që do të regjistrojë çdo qindarkë të kthyer në arkën e shtetit, që do të konfiskohet.

LSDM-ja ishte partia që publikoi bisedat e përgjuara, në bazë të të cilave zyrtarë të lartë të shtetit dyshohet të jenë përfshirë në afera korruptive, gjë që çoi drejt ngritjes së padisë nga Prokuroria Speciale Publike, për një pjesë të tyre.

“Konfiskimi do të ndodhë në Maqedoni, pas kësaj plaçkitjeje që ndodhi”, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë lideri i opozitës maqedonase, Zoan Zaev, duke theksuar se në asnjë mënyrë nuk do të bëjë koalicion me ato parti që në brendi kanë personalitete të cilat lidhen me krimin.

Edhe partia maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE, zyrtarët e së cilës tanimë hetohen nga Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë, në programin e fushatës zgjedhore në fokus ka vendosur luftën kundër krimit të organizuar dhe sundimin e ligjit.

Por, lideri i partisë, ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ka theksuar se do të angazhohet që të mos i vazhdohet mandati Prokurorisë Speciale Publike.

Ndërkohë, partitë shqiptare luftën kundër korrupsionit e kanë mbështetur tek puna e Prokurorisë Speciale dhe hetimet që ka hapur ky institucion ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit.

Ekspertët vlerësojnë se nëse ka vullnet politik, ligjet ekzistuese mundësojnë konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme dhe kjo mjafton që institucionet të angazhohen për zbatimin e tyre.

“Maqedonia posedon ligje të shkëlqyera, që mundësojnë kontrollin e rrjedhës së parave, por njëkohësisht dhe konfiskimin e pronës, e cila është fituar në mënyrë të paligjshme, mjafton që këto ligje të zbatohen në praktikë”, thekson Sllagjana Taseva, nga organizata joqeveritare Trasparency International.

Ajo thotë se më i vështirë do të jetë konfiskimi i pronës jashtë Maqedonisë, megjithëse, sipas saj, kjo mund të kërkojë më shumë kohë dhe angazhim, por nuk është e pa mundur.

Ndërkaq, Ismet Ramadani, njohës i çështjeve politike, konsideron se përbërja e ardhshme parlamentare do të jetë e detyruar të fokusohet në luftën kundër korrupsionit dhe konfiskimin e pronës së fituar në mënyrë të paligjshme, sepse kjo tani paraqet kushtin kryesor për Maqedoninë sa i përket integrimit në strukturat euroatlantike.

“Nga bashkësia ndërkombëtare do të përkrahen vetëm ato subjekte politike të cilat janë të përcaktuara për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe keqpërdorimin e sistemit, respektivisht institucionet e shtetit. Dhe kjo porosi që jepet në vazhdimësi nga ana e faktorit ndërkombëtar, në një mënyrë indirekte, i orienton qytetarët se si ata duhet të votojnë nëse dëshirojnë të bëhen pjesë e familjes evropiane”, nënvizon Ismet Ramadani.

Përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar në vazhdimësi theksojnë se qeveria e ardhshme prioritet duhet të ketë angazhimin e reformave në sistemin gjyqësor. (REL)

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG